Kallëzim penal ndaj Blerim Bexhetit për keqpërdorime mbi 1.7 milion euro në Saraj
Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal ndaj Blerim Bexhetit, ish-kryetar i Komunës së Sarajit, i cili dyshohet si një nga përgjegjësit kryesorë në një rast të gjerë keqpërdorimesh me dokumentacion urbanistik dhe leje ndërtimi. Përveç tij, kallëzimi përfshin edhe shtatë ish-zyrtarë dhe punonjës të Komunës së Sarajit dhe të Qytetit të Shkupit, si dhe një inxhinier mbikëqyrës.
Sipas Policisë Financiare, përveç Bexhetit, të kallëzuar janë edhe ish-sekretarët e komunës S.SH. dhe Ķ.K., udhëheqësit e sektorit të urbanizmit A.S. dhe Ķ.A., bashkëpunëtori A.SH., drejtuesi i sektorit për planifikim hapësinor në Qytetin e Shkupit I.B.SH., si dhe inxhinieri mbikëqyrës L.T.
Ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare”, “Punë e pandërgjegjshme në shërbim” dhe “Falsifikim ose shkatërrim i librave afariste”, të parashikuara në nenet 353, 353-v dhe 280 të Kodit Penal të RMV-së.
Hetimet tregojnë se personat e përfshirë, ndonëse e dinin se për parcelën kadastrale KP 10405/6 në Saraj nuk ekzistonte plan urbanistik i miratuar, kanë përgatitur dokumente të rreme: përmbledhje të planit urbanistik, leje ndërtimi dhe llogaritje për kompensim të tokës ndërtimore. Ndërkohë, inxhinieri mbikëqyrës dyshohet se ka hartuar raport përfundimtar teknik me përmbajtje të pavërtetë.
Sipas Policisë Financiare, me këto veprime të dyshuarit i kanë mundësuar kompanisë “Azra Idriz” SHPKN Glumovë – Saraj përfitime të paligjshme në vlerë prej 108.638.840 denarësh (rreth 1.76 milionë euro).
Prokuroria pritet të ndërmarrë hapat e radhës në procedurën hetimore.