Janevska: Rritet interesi për ERASMUS, miratohen 7 milionë euro për 270 projekte arsimore
Me “Stafetën Erasmus – kuti në lëvizje“, Agjencia Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet filloi agjendën për shënimin e Ditëve – Erasmus 2025. Nxënësit dhe mësim-dhënësit nga Shkolla Fillore “Aco Shopov“ në Butel, të cilët tashmë i kanë përjetuar përfitimet nga pjesëmarrja në këtë program arsimor evropian përmes projektit për mobilitet, janë të parët që në mënyrë simbolike do t’i vendosin mesazhet dhe rekomandimet e tyre në kuti, për të stim-uluar përdoruesit e rinj të programit. Pasi kutia të ketë kaluar nëpër shkollat në mbarë vendin, të gjitha letrat do të bëhen publike.
Në fillimin e aktivitetit e pranishme ishte ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila shprehu kënaqësinë që, pas disa viteve ku ishte vënë në pikëpyetje kredibiliteti i Agjencisë Kombëtare, për shkak të parregullsive të konstatuara në punën e saj, fillon periudha e funksionimit normal të këtij institucioni.
“Besimi është kthyer, janë miratuar fondet e BE-së për financimin e projekteve në kuadër të programit Erasmus për vitin 2025, për të cilat interesi është rritur ndjeshëm.
Kjo shihet nga fakti se këtë vit numri i aplikimeve për projekte të mobilitetit të nxënësve dhe mësimdhënësve në kuadër të Erasmus është rritur mbi 100% krahasuar me vitin e kaluar. Nëse në vitin 2024 ishin parashtruar rreth 150 aplikime, këtë vit janë parashtruar mbi 300“, theksoi Janevska.