Janevska paralajmëroi mbyllje të disa fakulteteve, nën llupë një numër i madh
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, paralajmëroi se disa universitete në Maqedoninë e Veriut mund të mbeten pa akreditim dhe të mbyllen nëse nuk i përmbushin standardet ligjore dhe nuk i korrigjojnë parregullsitë e konstatuara gjatë procesit të vlerësimit.
Ajo bëri të ditur se aktualisht të paktën pesë universitete janë nën monitorim, ndërsa pesë deri në gjashtë institute të tjera ndodhen në procedurë mbylljeje. Janevska nuk zbuloi se për cilat institucione bëhet fjalë.
Sipas saj, procesi i kontrollit po zhvillohet mbi bazën e denoncimeve të profesorëve dhe personave të tjerë, ndërsa vlerësimet po kryhen nga ekspertë të huaj për të siguruar zbatimin e standardeve të cilësisë në arsimin e lartë.
“Për momentin, ende po veprojmë në bazë të denoncimeve nga persona të caktuar ose nga një grup profesorësh. Por ajo që është e mirë është se, ndryshe nga e kaluara kur Agjencia për Cilësinë e Arsimit të Lartë nuk funksiononte fare dhe jepte akreditime edhe për institucione që nuk i plotësonin kriteret, me këtë Qeveri kemi filluar vlerësimet”, deklaroi Janevska.
Ministrja tha se rezultatet e para tregojnë se një pjesë e universiteteve i përmbushin standardet, ndërsa të tjerat rrezikojnë të humbin akreditimin.
“Vlerësimet e para të kryera me ekspertë të huaj tregojnë se disa universitete po ecin mirë, por disa universiteteve do t’u hiqen akreditimet. Ne e respektojmë ligjin dhe afatet për ankesa. Institucionet që nuk i korrigjojnë mangësitë do të mbyllen”, u shpreh ajo.
Janevska njoftoi se deri më tani janë mbyllur 18 institute dhe një fakultet privat, përkatësisht një shkollë e lartë profesionale. Ajo shtoi se pritet të mbyllen edhe pesë deri në gjashtë institute të tjera, ndërsa monitorimi i universiteteve do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.