Janevska kategorike: Ligji i shkollave të mesme fetare “Kushtetues”
Me shumë kujdes e punuam ligjin për shkollat fetare, tha Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska duke komentuar ligjin e miratuar në Kuvend me 29 korrik, i cili u lejon nxënësve nga këto shkolla të japin provimin e maturës shtetërore dhe të regjistrohen në universitete, njëjtë si nxënësit e tjerë të shkollave të mesme, profesionale dhe artistike.
Janevska sqaroi se kanë konsultuar shumë literaturë dhe ligje nga vendet fqinje – Bullgaria, Serbia, Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, si dhe nga Gjermania, Anglia dhe vendet e BE-së.
“Pamë që ato vende në mënyrë shumë të ngjashme e zgjidhin arsimin fetar midis tyre. U përpoqëm të jetë kushtetues dhe nëse e lexoni me kujdes ligjin, nuk ka ndërhyrje të shtetit në arsimin fetar, domethënë, ky ligj nuk shkel sekularizmin e shtetit. Nëse shkollat fetare dëshirojnë, ato do ta respektojnë ligjin dhe nxënësit do të jenë në gjendje të japin provimin e maturës shtetërore, gjë që do t’u lejonte atyre të vazhdonin në fakultete të tjera përveç atyre teologjike”, tha Janevska.
Ajo shtoi se nëse shkollat nuk zgjedhin të punojnë sipas këtij ligji, “ato janë plotësisht të ndara, do të kenë vetëm edukim fetar”.
Ky problem i shkollave të mesme fetare ka qenë në diskutim për 12 vjet, patëm një zgjidhje pa zgjidhje, jokushtetuese që Gjykata Kushtetuese e anuloi. Deputetët e pranuan këtë ligj, e përmirësuan atë. Shpresoj se do të ketë një zbatim të suksesshëm të këtij ligji, i cili do të jetë i vlefshëm nga viti 2025-2026, theksoi Janevska.