Janë sekuestruar 2.500 sete infuzioni – këtë vit Dogana ka konfiskuar 10 mijë njësi barnash që paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve.
Janë sekuestruar 2.500 sete medicinale për infuzion – gjilpëra, shiringa, kanila dhe sisteme infuzioni, të cilat paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve. Për rastin informoi drejtori i Drejtorisë Doganore, Boban Nikollovski, në një intervistë për televizionin Alfa, ku theksoi se sivjet janë sekuestruar mbi 10 mijë copë medikamente.
“Rasti i fundit ku qartë shihet angazhimi ynë në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve është sekuestrimi i 2.500 seteve për infuzion në pikën doganore Shkup 3.
Rasti u zbulua gjatë kontrollit të detajuar të materialit mjekësor për infuzion – gjilpërave, kanilave dhe sistemeve të infuzionit, me ç’rast u konstatua se ato janë mall kinez, dhe jo gjerman, siç figuronte në lejen e importit.
Duke pasur parasysh që setet e infuzionit nuk janë në përputhje me standardet mjekësore në vend, nuk janë të sigurta për përdorim dhe për to nuk është lëshuar leje importi, malli është sekuestruar dhe do të asgjësohet, ndërsa ndaj importuesit është ngritur procedurë përkatëse,” theksoi Nikollovski.
Drejtori gjithashtu informoi se vitin e kaluar janë parandaluar dy rrjete ndërkombëtare të tregtisë ilegale me steroidë anabolikë, me ç’rast janë sekuestruar 600 mijë kilogramë substanca të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.