Ja për çfarë akuzohet Artan Grubi
Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër i parë, ishte në kërkim me fletarrestim ndërkombëtar që nga 17 dhjetori 2024, pas nisjes së hetimit nga Prokuroria Themelore Publike për një rast që lidhet me “Lotarinë Shtetërore” dhe një dëm të pretenduar financiar prej 8,2 milionë eurosh. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Themelore Penale në Shkup kishte caktuar masën e paraburgimit 30-ditor për Grubin dhe për ish-drejtorin e ndërmarrjes, Përparim Bajrami, i cili vazhdon të jetë në arrati.
Sipas aktit të hetimit, Grubi ngarkohet me veprën penale “Përvetësim në shërbim” nga neni 354 i Kodit Penal. Prokuroria dyshon se ai, bashkë me drejtorin e ndërmarrjes dhe gjashtë persona të tjerë, ka qenë pjesë e procedurave të kundërligjshme të furnizimit publik, përmes të cilave është shkaktuar dëm i konsiderueshëm në buxhet.
Rasti lidhet me vendimin për blerjen e terminaleve të videolotarisë (VLT) në vlerë prej 501.319.119 denarësh. Sipas organit të akuzës, “Lotaria Shtetërore” nuk ka pasur bazë ligjore për organizim të pavarur të lojërave elektronike të fatit, pasi që nga viti 2013 kjo e drejtë ishte transferuar si kontribut jomaterial në shoqërinë “Kazinos Austria” DOO Shkup, ku ndërmarrja shtetërore zotëron 51 për qind të kapitalit.
Prokuroria pretendon se më 6 qershor 2023, në cilësinë e zëvendëskryeministrit, Grubi ka kryesuar mbledhjen e Qeverisë si Kuvend i Aksionarëve dhe ka dhënë miratim për nisjen e procedurave, edhe pse ky organ, sipas akuzës, nuk ka pasur kompetencë për të vendosur për një marrëveshje të tillë. Më tej janë realizuar prokurimet dhe janë nënshkruar kontratat për furnizimin me terminale, të cilat, sipas hetimit, nuk janë vënë asnjëherë në funksion.
Më 9 dhjetor 2024, Grubi dhe gjyqtari Enver Bexheti u përfshinë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm – marrje ryshfeti në lidhje me procese gjyqësore që lidhen me ish-drejtorin e DSK-së, Sasho Mijalkov.
Pas arrestimit në pikën kufitare në Bllacë, ai pritet të dalë para gjykatës paraprake, e cila do të vendosë për vazhdimin ose ndryshimin e masës së sigurisë.VOXAL