Izraeli thotë se Hamasi dorëzoi mbetjet e dy pengjeve të tjerë izraelitë
Hamasi ia dorëzoi mbrëmjen e së enjtes trupat e dy pengjeve izraelitë Kryqit të Kuq, në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit, konfirmoi ushtria izraelite, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të ushtrisë u tha se arkivolet iu dorëzuan Kryqit të Kuq dhe trupat janë marrë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Telaviv për analiza mjeko-ligjore.
Dorëzimi u krye dy ditë pasi Izraeli vrau mbi 100 palestinezë në sulme ajrore në gjithë Rripin e Gazës, pavarësisht armëpushimit.
Që nga fillimi i marrëveshjes së armëpushimit në Gaza më 10 tetor, Hamasi ka liruar 20 robër izraelitë të gjallë dhe ka dorëzuar eshtrat e 19 nga 28 robërve, shumica prej të cilëve izraelitë. Megjithatë, Izraeli ka pretenduar se një nga trupat e marrë nuk përputhej me asnjë nga robërit e listuar prej tij.
Izraeli ka vrarë 211 palestinezë dhe ka plagosur 597 të tjerë që nga armëpushimi, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Izraeli e ka lidhur fillimin e negociatave për fazën e dytë të armëpushimit me dorëzimin e të gjitha mbetjeve të pengjeve. Hamasi thotë se procesi kërkon kohë për shkak të shkatërrimit masiv në Gaza.
Faza e parë e marrëveshjes përfshin lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të gati 2.000 të burgosurve palestinezë. Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.
Izraeli ka vrarë më shumë se 68.500 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur mbi 170.600 të tjerë në sulmet në Gaza që nga tetori i vitit 2023.