Izet Mexhiti: VLEN po bëhet një forcë që i bashkon dhe i faktorizon shqiptarët
Lideri i VLEN-it, Izet Mexhiti, deklaroi se bashkimi i VLEN-it shënon fillimin e një etape të re politike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, me fokus te rezultatet konkrete dhe rikthimi i besimit të qytetarëve në politikë.
Nga Shkupi, Mexhiti tha se qytetarët nuk kërkojnë më vetëm premtime dhe deklarata politike, por ndryshim real që ndihet në jetën e përditshme.
“Po bëhemi një sepse çdo fjalë që e kemi dhënë po e kthejmë në vepër. Çdo premtim në realitet. Çdo besim në zhvillim. Sepse qytetarët nuk na kanë votuar për të dëgjuar më shumë, por për të parë më shumë. E dimë që historia nuk i fal ata që e marrin besimin dhe nuk e kthejnë në rezultat. Dhe sonte është prova jonë të dëshmojmë se ndryshimi nuk mbetet në fjalë. Se bashkimi prodhon forcë që ndërton.”, deklaroi Izet Mexhiti, lider i VLEN-it.
Sipas Mexhitit, politika duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe jo mbi qytetarin, ndërsa bashkimi i VLEN-it synon ta forcojë përfaqësimin politik të shqiptarëve në vend.
Ai tha se ky është fillimi i një përgjegjësie më të madhe politike dhe se procesi i nisur nuk ka kthim pas.
“Sonte VLEN-i po bëhet një. Jo vetëm si parti, por si drejtim, si përgjegjësi, si mendim, si vizion, si kauzë, si forcë që i bashkon shqiptarët, si zë që i faktorizon shqiptarët. Si besim që kërkon të përmbushet. Dhe ky besim do të mbahet. Sepse kur qytetarët ndjejnë ndryshimin, nuk duan më të jetojnë nën hijen e së shkuarës.”, deklaroi deklaroi Izet Mexhiti, lider i VLEN-it../VOXAL/