
Izet Mexhiti rikthehet në Çair: Një thirrje që nuk mund të refuzohej
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti besimin e marrë nga VLEN për të kandiduar në Çair e ka cilësuar si përgjigje ndaj thirrjes që nuk mund ta refuzon. Mexhiti në qëndrimin e tij ku kumton garën për Çairin tha se po e lë Qeverinë dhe po kthehet te njerëzit e tij.
“Çairi është thirrja të cilën nuk mundem ta refuzoj! Çairi është obligimi të cilin me përulësi do ta plotësoj! Për Çairin kam pranuar ta lë Qeverinë dhe të kthehem në mesin e njerëzve të mi. Besoj dhe jam i sigurt se kam bërë zgjedhjen e drejtë dhe të duhur. Sepse njerëzit e Çairit meritojnë kryetar i cili ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë në mesin e tyre, gjithmonë në dispozicion për t’u ofruar ndihmë dhe mbështetje”, tha Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër i parë.
Kreu i Tetovës që garon për mandatin e dytë tha se në mandatin e parë Tetova u shpëtua, tani është koha që ajo të ndërtohet. Kasami ka shtuar se deri në vitin 2029 Tetova do të jetë një qytet Evropian.
“Pavarësisht vështirësive, 4 vite na mjaftuan për ta kthyer Tetovën në rrugën e duhur, por jo për ta ndërtuar atë sipas vizionit tonë të plotë. Prandaj, sot zyrtarisht shpall kandidaturën time për mandatin e dytë në Komunën e Tetovës. Në mandatin e parë shpëtuam Tetovën, në mandatin e dytë do ta ndërtojmë atë. “Tetova Evropiane” ishte ëndrra jonë. Themelin e saj e vendosëm në vitet 2021–2025. Tani është koha për ndërtimin e saj të plotë në periudhën 2025–2029.
Në mandatin e parë shpëtuam Tetovën, në mandatin e dytë do ta ndërtojmë atë”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës .
Kandidati i VLEN për Sarajin, Muhamed Elmazi ka deklaruar se qytetarët e Sarajit kanë nevojë për një komunë që shef interesin publik dhe jo interesin e grupeve të caktuara.
“Nuk premtoj mrekulli. Por një gjë e them me zemër të hapur: Do të jem gjithmonë pranë jush. Do t’ju dëgjoj me respekt, do t’ju mbështes me përkushtim, dhe kurrë nuk do të fshihem kur të ketë nevojë për zgjidhje dhe përgjegjësi. Sot, nuk nis vetëm një fushatë, por nis një rrugëtim i përbashkët. Për një komunë që i kthehet qytetarit. Një komunë që nuk punon për interesin e vet, por për ne të gjithë”, u shpreh Muhamed Elmazi, Kandidat për Komunë e Sarajit.
Mexhiti kthehet në Çair pas tre mandateve që kishte drejtuar këtë komunë, ndërs Kasami kërkon një mandat të dytë, pas atij që e çoi në pension Teuta Arifin e BDI-së. Ndërkohë Elmazi dhe kandidatët e tjerë si Fatmir Limani, Fisnik Mela, Nexhmedin Sadiku e të tjerë futen në garë për herë të parë./Alsat.mk