Izet Mexhiti mbështet protestën “Drejtësi për Çlirimtarët”: Kauza për UÇK-në është mbi çdo fushatë
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka shprehur mbështetje të plotë për protestën “Drejtësi për Çlirimtarët” që u mbajt sot në Prishtinë, duke e cilësuar si një kauzë madhore që tejkalon çdo interes fushate.
Në një reagim publik, Mexhiti theksoi se megjithëse është kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e 19 tetorit, ka zgjedhur të mos përfshihet drejtpërdrejt në protestë për të mos e keqpërdorur kauzën për qëllime elektorale.
“Lufta e UÇK-së në Kosovë, ajo në Preshevë si dhe në Maqedoni ka qenë e drejtë, e arsyeshme dhe e pastër! Kjo ka qenë luftë për shtetshmërinë, për barazinë dhe për mbrojtjen e identitetit shqiptar në trojet e ish Jugosllavisë,” ka shkruar Mexhiti.
Ai dënoi përpjekjet për të barazuar viktimën me dhunuesin, duke i cilësuar të papranueshme si në të drejtën ndërkombëtare, ashtu edhe në atë zakonore.
Mexhiti vuri në dukje arritjet e Kosovës si shtet me sovranitet të konsoliduar, veçanërisht në veri, ku sipas tij, nuk ekziston më një zonë gri e jashtë kontrollit institucional. Ai përmendi përfshirjen e plotë të administratës dhe bizneseve kosovare në atë zonë, si dhe integrimin e Telekomit të Kosovës.
“Kosova sot është entitet që po integrohet në organizmat ndërkombëtare dhe nuk varet nga mëshira e kuazi autoriteteve apo emisarëve karreristë,” theksoi ai, duke u distancuar nga qëndrimet e politikanëve që, sipas tij, kanë bërë kompromise me lirinë e fituar me gjak.
Në fund të reagimit të tij, Mexhiti u shpreh:
“Kosova ka zot shpie! Liria ka emër! Liri për çlirimtarët!”