Ish-piloti ushtarak si psikolog ekipi, a është ky sekreti i senzacionit Bodo Glimt?
Klubi norvegjez FK Bodø/Glimt po shkruan një nga historitë më të pabesueshme të futbollit europian.
Skuadra nga qyteti arktik Bodø, me më pak se 50 mijë banorë, arriti të trondisë elitën e futbollit duke eliminuar gjigantë dhe duke hyrë në historinë e UEFA Champions League.
Por brenda klubit, shumëkush beson se sekreti i suksesit nuk qëndron vetëm te taktikat apo te trajneri Kjetil Knutsen.
Në prapaskenë është një figurë krejt e pazakontë për futbollin: psikologu i ekipit Bjorn Mannsverk, një ish-pilot avionësh luftarakë.
Nga kabina e avionit luftarak në dhomat e zhveshjes
Mannsverk ka shërbyer më shumë se 20 vite si pilot luftarak në Forcat Ajrore të Norvegjisë.
Ai u bashkua me Bodø/Glimt në vitin 2017 – pikërisht në momentin më të errët të klubit.
Ironikisht, në vitin e 100-vjetorit, klubi ra nga liga elitare norvegjeze.
Sipas Mannsverk, problemi nuk ishte cilësia e lojtarëve.
“Ata kishin aftësi futbolli për të qëndruar në elitë. Por ndodhi një kolaps total mendor,” ka shpjeguar ai.
Klubi e kuptoi se i mungonte diçka që nuk trajnohet në palestër apo në fushë: forca psikologjike.
Metodat e pilotëve luftarakë
Përvoja e tij si pilot rezultoi vendimtare.
Pilotët luftarakë norvegjezë rrallë përfshihen në luftime reale, ndaj kalojnë shumë kohë në stërvitje psikologjike për situata ekstreme.
Mannsverk e përdori këtë metodë edhe me lojtarët.
Seancat e tij përfshijnë takime individuale me lojtarët, diskutime për presionin dhe emocionet, teknika për fokus dhe vetëkontroll, simulim mental të situatave kritike në ndeshje
Ato nuk janë të detyrueshme.
Megjithatë, pothuajse çdo lojtar zgjedh të punojë me të.
Përvoja nga lufta
Efektin e këtyre metodave ai e pa edhe gjatë karrierës ushtarake.
Midis viteve 2009-2010, skuadrilja e tij testoi programin e trajnimit mental.
Pak më vonë, pilotët norvegjezë morën pjesë në operacione ushtarake në Libya dhe Afghanistan, në bashkëpunim me forcat britanike.
Në situata ku çdo vendim mund të jetë jetë a vdekje, kontrolli emocional bëhet vendimtar.
Sipas tij, trajnimi mental i ndihmon njerëzit të përballen me momente ekstreme.
“Kur hedh bomba për herë të parë dhe sheh shpërthimet, emocionet mund të të shpërqendrojnë. Trajnimi të ndihmon të qëndrosh i fokusuar.”
Një rol unik në futboll
Roli i Mannsverk është i pazakontë. Ai nuk është trajner dhe madje nuk është tifoz i madh futbolli.
Rreth 75% të kohës punon në Fondin Sovran të Naftës së Norvegjisë, fondi më i madh shtetëror në botë.
Megjithatë, brenda Bodø/Glimt ai konsiderohet një nga shtyllat e projektit.
Në takimin e parë me stafin teknik, vetëm një person reagoi menjëherë pozitivisht ndaj metodave të tij: asistenti i atëhershëm Kjetil Knutsen.
Një vit më vonë, Knutsen u bë trajneri kryesor — dhe bashkë me Mannsverk nisën epokën më të suksesshme në historinë e klubit.
Nga rënia në elitë – dhe tani në Champions
Në pak vite, Bodø/Glimt kaloi nga rënie nga liga në një klub që sfidon elitën e Europës.
Ata eliminuan Interin mbrëmë, ndërsa këtë sezon kanë fituar edhe ndaj gjigantëve Manchester City dhe Atletico.
Dhe në qendër të kësaj filozofie është pikërisht ish-piloti që dikur stërvitej për luftë në qiell.
Sot ai stërvit një tjetër betejë: atë të mendjes në fushën e futbollit.