Inxhinierët e RMV-së: Orëmatësit e rrymës, “kuti e zezë” nën kontrollin e EVN-së, shteti nuk ka qasje
Inxhinierët e Maqedonisë së Veriut paralajmërojnë se askush në shtet nuk kontrollon konfigurimet softuerike të orëmatësve të energjisë elektrike të instaluar nga EVN, çka mundëson potencialisht vendosjen e shumëzuesve të gabuar apo tarifave më të larta pa dijeninë e qytetarëve. I vetmi organ inspektues është vetë EVN, ndërsa institucionet shtetërore nuk mbajnë të dhëna për modelet apo ankesat. Ministrja e Energjisë kishte premtuar reforma dhe funksionalizim të pajisjeve shtetërore për kontroll, por pas katër muajsh ato ende nuk janë në funksion. Inxhinierët kërkojnë mbikëqyrje të pavarur dhe transparencë urgjente në sektorin e matjes së energjisë, transmeton Portalb.mk.
“Nga përshkrimet teknike të orëmatësve Iskrameco MT174 dhe Iskrameco ME382, të cilët më shpesh instalohen, konfigurohen dhe verifikohen nga EVN, mund të lexohet se ata kanë aftësinë të përshtaten me softuer për të matur më shumë energji elektrike të konsumuar sesa konsumohet në të vërtetë. I vetmi organ në shtet që kryen ndonjë kontroll të orëmatësve është organi inspektues i operatorit austriak EVN, i cili është i akredituar nga Instituti i Akreditimit me certifikatën IT-068. Zona e inspektimit e përcaktuar nga akreditimi i këtij organi inspektues i referohet vetëm verifikimit fizik dhe teknik të matësve. Askush në shtet nuk i kontrollon cilësimet e softuerit, thonë Inxhinierët e Maqedonisë së Veriut në një reagim për mediat.
a është vendosur saktë shumëzuesi ose shumëzon konsumin ×1.1 ose ×1.2,
a janë të sakta zonat tarifore ose a aplikohen ndryshime në tarifa më të larta pa dijeninë e qytetarit,
a është konfiguruar pajisja si trefazore për një përdorues me një fazë.
As Byroja e Metrologjisë nuk e bën këtë, as Instituti i Akreditimit. Kështu, konfigurimi i orëmatësve që matin konsumin e energjisë elektrike ka ekzistuar prej kohësh si një “kuti e zezë” nën kontrollin e plotë të operatorit austriak EVN”, thuhet në reagimin e Inxhinierëve.
Sipas Inxhinierëve, edhe pse cilësimet e këtyre parametrave ndikojnë drejtpërdrejt në faturat mujore të energjisë elektrike, qytetarët nuk kanë mundësi t’i kontrollojnë ato në mënyrë të pavarur.
“Si qytetarë, ne mund të shprehim vetëm dyshime se po paguajmë më shumë sesa kemi shpenzuar, mund të kërkojmë një kontroll të matësve, por kontrolli sigurisht që nuk do të kryhet nga një autoritet shtetëror ose organ i pavarur, por nga organi inspektues i EVN-së. Por edhe atje, konfigurimet e softuerit nuk do të kontrollohen, megjithëse në fund do të na ngarkohet një shumë e përshtatshme për të. Kjo përfaqëson një boshllëk serioz sistemik në sektorin e energjisë”, thuhet në reagim.
Të nxitur nga deklarata e ministres së Energjisë, e cila më 23 shkurt 2025, gjatë një vizite në Byronë e Metrologjisë, deklaroi se “epoka e orëmatësve të pasaktë dhe faturave të larta po mbaron” dhe njoftoi se pajisjet e verifikimit të laboratorit shtetëror do të viheshin në funksion menjëherë, Inxinierët i paraqitën kërkesë për informacion publik Byrosë së Metrologjisë, për të parë rezultatet e kontrollit të kryer nga laboratori shtetëror. Përgjigja që morën zbuloi se katër muaj pas deklaratës së ministres, pajisjet ende nuk janë aktivizuar, dhe hapi i parë konkret institucional – njoftimi i prokurimit publik për instalimin dhe trajnimin e sistemit ZERA MT310-5 – ndodhi vetëm më 12 qershor – disa ditë pasi Byroja mori kërkesën tonë për informacion publik.
“Përveç kësaj, nga përgjigja, mësuam se qytetarët nuk kanë mundësi të kontrollojnë drejtpërdrejt orëmatësit, as të kenë qasje në informacion mbi cilësimet teknike, ndërsa institucionet shtetërore nuk mbajnë të dhëna të modeleve, as statistika mbi ankesat e mundshme. Kjo tregoi qartë se institucionet reagojnë vetëm nën presionin e publikut, dhe jo me iniciativën e tyre.