
IA-ja ende pa ndikim serioz në arsimin e lartë – Ja arsyet
Inteligjenca artificiale (IA) premtoi të revolucionarizojë fushën e arsimit. Por si, dhe sa po përdoret realisht sot nga studentët dhe mësuesit?
Artikulli ynë i fundit kërkoi t’i përgjigjej kësaj pyetjeje duke analizuar integrimin e IA-së në universitete nga dy perspektiva: shkencore (si po përdoret realisht) dhe sociale (perceptimet për përdorimin e saj).
Ndërsa studiuesit priren të theksojnë mundësitë dhe sfidat që IA paraqet për marrjen e dijes së personalizuar, perceptimi shoqëror tregon një histori tjetër, duke reflektuar një adoptim më të ngadaltë dhe më të pabarabartë, veçanërisht në Evropë.
Personalizimi, tutorët virtualë dhe administrata
Në vitet e fundit, IA është shtrirë gradualisht në arsim, veçanërisht në fusha si proces mësimi i personalizuar, tutorët virtualë dhe automatizimi i detyrave administrative.
Platforma si Smart Sparrow, Knewton, Century Tech dheKhan Academy përdorin IA për të përshtatur ritmin dhe përmbajtjen e mësimit me nevojat individuale të studentëve. Këto sisteme përdorin IA për të analizuar performancën e studentit (përgjigje të sakta ose të gabuara, koha e reagimit, modelet e gabimeve), si dhe për të rregulluar automatikisht nivelin e vështirësisë, llojin e përmbajtjes apo ritmin, dhe për tër ekomanduar ushtrime shtesë, video ose lexime.
Sistemet tutorë janë një tjetër përdorim. Këto janë chatbotë ose asistentë virtualë që ndërveprojnë me studentët ashtu si një tutor njerëzor. Funksionet e tyre tipike janë t’u përgjigjen pyetjeve për përmbajtjen, të propozojnë ushtrime, të japin shpjegime, të zgjidhin problemet hap pas hapi, të motivojnë dhe të shoqërojnë studentin në progresin e tij.
Disa shembuj janë Khanmigo (Khan Academy + GPT-4), që ndihmon me matematikë, shkrim dhe shkencë; Duolingo Max, një IA për tutorim të personalizuar të gjuhëve; Socratic iGoogle, që i përgjigjet pyetjeve me shpjegime vizuale; dhe Mika nga Carnegie Learning, një tutor i matematikës i bazuarnë IA.
Të gjitha këto platforma përdorin modele të të marrjes së dijes në mënyrë makinerike që njohin pikat e forta dhe të dobëta të studentëve. Kjo teknologji tashmë po përdoret me sukses në disiplina si mjekësia, elektronika dhe gjuhësia, ku analiza e të dhënave në shkallë të gjerë dhe automatizimi janë thelbësore për mësimdhënie dhe kërkime.
Kjo teknologji gjithashtu lejon menaxhimin efikas të proceseve administrative, si korrigjimi i provimeve dhe ndjekja e notave dhe performancës.
Kufizime dhe sfida
Pavarësisht pritshmërive rreth IA-së, ndikimi i saj në arsimin universitar mbetet i kufizuar. Në nivel global, përdorimi i saj në universitete është ende në fazat e para, dhe adoptimi i IA ndryshon ndjeshëm mes rajoneve dhe disiplinave. Ndërsa është bërë përparim i rëndësishëm në disa fusha, si shkencat shëndetësore, fusha të tjera si humanitetet, të cilat sapo kanë filluar të eksplorojnë mundësitë e kësaj teknologjie.
Një nga sfidat kryesore është mungesa e trajnimit për mësuesit dhe administratorët në përdorimin e mjeteve të IA-së. Shumë mësues ende nuk e kanë aftësitë e nevojshme për t’i integruar ato në klasat e tyre, gjë që kufizon adoptimin. Përveç kësaj, mungesa e politikave të qarta mbi privatësinë e të dhënave të studentëve dhe përdorimin etik të kësaj teknologjie paraqet barriera të rëndësishme.
Evropa ngec pas
Megjithëse është lidere në rregulloret mbi përdorimin etik të teknologjisë, Evropa ngec pas në aspektin e kërkimeve shkencore për mënyrën se si të integrohet ajo në metodat arsimore.
Ka përjashtime, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, që ka kërkime shumë solide mbi etikën e IA-së arsimore dhe modelet e mësimdhënies adaptuese dhe vlerësimit automatik. Në Gjermani dhe Holandë, projekte ndër disiplinore të Bashkimit Evropian po kombinojnë arsimin, shkencat kognitive dhe shkencat kompjuterike.
Shtetet e Bashkuara kryesojnë në publikime shkencore, patenta dhe zhvillimin e teknologjive arsimore të bazuara në IA. Ndërkohë në Kinë ka një rritje të konsiderueshme të publikimeve dhe aplikacioneve të IA-së arsimore, veçanërisht në marrjen e dijes në mënyrë adaptive dhe njohjen e fytyrës në klasat inteligjente. Investimi masiv shtetëror në “Smart Education” është pjesë e strategjisë së saj për lidership në IA.
Amerika Latine (veçanërisht Brazili, Kili dhe Meksika) gjithashtu ka një prodhim në rritje kërkimesh, me përparime në platformat edukative adaptive dhe analizën e të dhënave të nxënies së dijes. Ekziston një interes në rritje për përdorimin e kësaj teknologjie për të reduktuar hendekun arsimor dhe për të përmirësuar aksesin në zona të pafavorizuara.
Perceptimi shoqëror: indiferencë në rastin më të mirë
Në studimin tonë të fundit, krahasuam kërkimet mbi përdorimine IA-së në arsim me perceptimin shoqëror për përdorimin e saj përmes përmendjeve në rrjete sociale.
Përdorimi i IA-së në arsim ka nxitur debat shoqëror, por zbuluam se përdoruesit e rrjeteve sociale përgjithësisht janë neutralë, ose madje të painformuar, sa i përket ndikimit të saj në universitete. Pavarësisht pranisë së saj në rritje në bisedat rreth teknologjisë arsimore, shumica e përmendjeve online për IA-në në arsim nuk shprehin as entuziazëm dhe as shqetësim të madh.
Ndërsa studiuesit fokusohen më shumë në zhvillimin dhe ndikimin akademik të IA-së, përdoruesit e rrjeteve sociale, kryesisht fokusohen te mjetet e IA-së si ChatGPT, që u ndihmojnë studentëve me detyra më praktike dhe të përditshme.
Ku po shkon IA në arsim?
Sa i përket asaj që kjo teknologji mund të ofrojë, të nxënit e personalizuar dhe automatizimi i detyrave janë vetëm maja e ajsbergut. Për të shfrytëzuar potencialin e saj të vërtetë, është thelbësore të investohet në trajnimin e mësuesve, të zhvillohen politika të qarta dhe të promovohet një bashkëpunim më i madh midis studiuesve, institucioneve arsimore dhe shoqërisë.
IA po hap dyer të reja në arsim, por adoptimi i saj ende përballet me barriera të mëdha, veçanërisht në Evropë. Pavarësisht përparimeve në mjekësi, elektronikë dhe gjuhësi, zbatimi i gjerë në fusha të tjera kërkon që si shkencëtarët, ashtu edhe shoqëria të kapërcejnë boshllëqet ekzistuese dhe të shfrytëzojnë maksimalisht mundësitë që ofron./The Conversation/ Përkthyer nga VOXAL/
