Inspektorati nuk gjeti fshehje të karburantit në pompa, thotë se mbetën pa rezerva
Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) njofton se kontrollet e realizuara në më shumë se 300 pika karburanti në të gjithë vendin nuk kanë zbuluar fshehje të rezervave të naftës apo derivateve të tjera.
Drejtori i ISHT-së, Vlatko Stojkoski, tha se inspektimet janë zhvilluar gjatë ditëve të fundit, ndërsa në disa raste është konstatuar se rreth 30 pika karburanti kanë mbetur përkohësisht pa karburant, pasi kishin shpenzuar rezervat.
Sipas tij, kjo situatë ka zgjatur vetëm disa orë, pasi rezervuarët janë furnizuar sërish dhe pikat e karburantit kanë vazhduar me shitjen normale.
“Pas një apo dy orësh, ndonjëherë edhe pas katër orësh, pas furnizimit të ri të rezervuarëve vazhdohet me shitjen e karburantit. Kjo ishte situata në këto tre-katër ditë”, tha Stojkoski.
Ndërkohë, pas rritjes së çmimit të dizelit për 14,5 denarë dhe të benzinës për 5 denarë, institucionet paralajmërojnë se do të ketë kontrolle më të shpeshta në treg, për të parandaluar rritje të pajustifikuara të çmimeve, veçanërisht te produktet ushqimore.
ISHT pritet të përgatisë një plan operativ për kontrolle në markete, distributorë, importues dhe prodhues të ushqimit, ndërsa në fokus do të jenë edhe marzhat e fitimit.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se institucionet do të monitorojnë nga afër tregun dhe sjelljen e tregtarëve, ndërsa Qeveria do të ndërhyjë nëse paraqiten parregullsi.
Ai theksoi se çmimet e karburanteve në Maqedoninë e Veriut mbeten ndër më të ulëtat në rajon, gjë që ka bërë që qytetarë nga vendet fqinje të furnizohen me karburant në vend, veçanërisht në zonat pranë kufirit.
Autoritetet sigurojnë se rezervat e naftës janë të mjaftueshme dhe se nuk ka rrezik për mungesë të karburantit në treg.VOXAL