Ibrahimi: Sonte jam këtu si shqiptar që kurrë dikujt nuk i ka thënë zagar
Në konventën promovuese të koalicionit VLEN për zgjedhjet lokale, kreu i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi përmendi disa gjëra që siç tha, e bëjnë krenarë që është pjesë e një subjekti që për 15 muaj i bëri shqiptarët krenarë.
“Jam shumë krenarë që i takoj një subjekti, i cili i ndaloi me ligj kazinotë, që shkatërronin familjet tona, e me ato para ndërtonin pallate. Jam shumë krenarë që ne e bëmë ligjin për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që priti gati 2 dekada” deklaroi Ibrahimi.
Ibrahimi përmendi edhe faktin që gjatë kohës që VLEN është në pushtet, janë ndarë 80 milion euro për zhvillimin e komunave shqiptare, duke nënvizuar se edhe kjo është një ndër gjërat që e bëjnë krenarë, se është pjesë e këtij subjekti.
“Sonte jam në këtë skenë, që të ju flas me zemër, si VLEN, si shqiptarë, si besimtarë, e si dikush që askujt asnjëherë nuk i ka thënë ‘zagar'” theksoi Ibrahimi.