I vihet flaka deponisë në Haraçinë me fara luledielli!
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka njpftuar se ka shpërthyer zjarr në deponinë e vendosur në fund të Haraçinës, përgjatë rrugës së vjetër për në Kumanovë. Deponia është e rrethuar dhe ka portë hyrëse, të cilën zjarrfikësit e Shkupit e kanë gjetur të hapur kur kanë mbërritur në vendngjarje që tregon se qëllimisht kjo deponi është ndezur.
“Brenda është vërejtur se digjej një sasi e madhe luledielli i paketuar, si dhe materiale të tjera të djegshme. Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se luledielli është ndezur qëllimisht, gjë që ka shkaktuar përhapjen e zjarrit në një pjesë të deponisë. Për shkak të drejtimit të erës, tymi dhe era e rëndë nga zjarri ka gjasa të ndihen edhe në disa pjesë të Shkupit”.
Shuarja po shkon me vështirësi siç njoftojnë autoritetet pikërisht për shkak se flakët kanë përfshirë tashmë një sipërfaqe të madhe, çka e bën të ndërlikuar kontrollimin vetëm me ujë ose shkumë. Po vlerësohet mundësia e mbulimit të deponisë, e cila është nën juridiksionin e Komunës së Haraçinës, njoftojnë nga DMSH.