I riu që shkeli për vdekje një të moshuar në Shkup ka ikur nga shteti, në kërkim edhe babai i tij
Policia ka ngritur kallëzim penal ndaj katër personave lidhur me aksidentin e rëndë trafiku që ndodhi dje rreth orës 11:30 në rrugën “Naroden Front” në Shkup, ku një 18-vjeçar me automjet goditi për vdekje një grua 79-vjeçare dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Shkup, vetura “Volkswagen Passat” me targa të Shkupit, e drejtuar nga S.S. (18) nga Shkupi, goditi këmbësoren L.J. (79), e cila ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa drejtuesi i automjetit iku menjëherë pas aksidentit.
Pas kallëzimit, policia ka ndërmarrë masa intensive për identifikimin e automjetit dhe drejtuesit. Përmes kamerave të sistemit “Qytet i Sigurt”, kamerave të objekteve përreth dhe deklaratave të dëshmitarëve, është konstatuar se automjeti ishte në pronësi të B.S. (45) nga Shkupi, babai i shoferit. Vetura është gjetur para shtëpisë së pronarit, ku është ndaluar një person 69-vjeçar dhe është marrë në pyetje.
Nga hetimet është zbuluar se shoferi 18-vjeçar dhe babai i tij, me ndihmën e dy personave të tjerë – Sh.P. (45) dhe A.J. (53) nga Shkupi – kanë ikur nga shteti gjatë ditës së djeshme. Dy personat që dyshohet se i kanë ndihmuar janë arrestuar dhe ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për veprën penale “ndihmë ndaj kryerësit pas kryerjes së veprës penale”.
Ndërkohë, ndaj shoferit S.S. (18) është ngritur kallëzim penal për “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion” si dhe për “mosdhënie ndihme ndaj personit të lënduar në aksident trafiku”. Policia po ndërmerr masa për gjetjen e tij dhe të babait të tij, për të cilët është shpallur edhe fletarrest.
Autoritetet kanë sekuestruar automjetin “Volkswagen Passat” me të cilin është shkaktuar aksidenti, si dhe automjetin “Mercedes” me të cilin dyshohet se shoferi dhe babai i tij kanë ikur nga shteti. Të dy automjetet janë dërguar në stacion policor, ndërsa rasti është njoftuar edhe Prokurorisë Publike për procedura të mëtejshme./VOXAL/