I është caktuar paraburgim tetëditor personit që dëmtoi xhamin e derës hyrëse të ambasadës bullgare në Shkup
Gjykatësi paraprak ka caktuar paraburgim tetëditor për 55-vjeçarin e dyshuar për dëmtimin e xhamit në derën hyrëse të ambasadës bullgare në Shkup, konfirmoi sot Gjykata Themelore Penale e Shkupit. Paraburgimi u caktua me propozim të Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, e cila dje filloi procedurë kundër personit që ndiqet penalisht për veprën penale të dëmtimit të pronës së të tjerëve, transmeton Portalb.mk.
Prokuroria kërkoi që të dyshuarit t’i jepet masa më e rreptë për të siguruar praninë e tij, sepse, siç informuan dje, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik arratisjeje dhe përsëritje të krimit.
Sipas pretendimeve të autoriteteve hetimore, i dyshuari e kreu krimin nga urrejtja. Në përshkrimin e krimit, siç njoftoi Prokuroria, ai theu xhamin në derën hyrëse me një gur dhe menjëherë u largua nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Ngjarja ndodhi të dielën, më 11 janar, dhe të nesërmen Ministria e Brendshme njoftoi se zyrtarët e policisë nga NJPB Qendër dhe Bit Pazar rreth orës 12:40 në rrugën Kiril i Metodij në Shkup e privuan Sh.A. (54) nga liria e tij, për shkak të dëmtimit të xhamit të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup.
“Menjëherë pas marrjes së raportit, u morën masa dhe aktivitete për të gjetur autorin dhe për të sqaruar rastin dhe Sh.A. u privua nga liria, dhe pas dokumentimit të rastit, do të ngrihet raport përkatës”, njoftoi Ministria e Brendshme pasditen e 12 janarit.
Lidhur me ngjarjen, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi pardje se ky ishte një rast i izoluar dhe se institucionet kompetente po punonin urgjentisht për sqarimin e plotë të tij.
Ndërkohë, Ambasada Bullgare në Maqedoni publikoi pamje nga kamerat e sigurisë të objektit, ku shihet xhami i thyer i derës hyrëse të Ambasadës në Shkup.
Paraprakisht, Ministria e Jashtme Bullgare reagoi ashpër, duke e përshkruar incidentin si një sulm të palejueshëm ndaj një misioni diplomatik dhe një shkelje të rëndë të normave ndërkombëtare.