I dehur me 2.35 promilë, i iku policisë dhe bëri aksident me makinën me targa të rrejshme
Një shofer nga Gjevgjelia është arrestuar pasi drejtoi automjetin në gjendje të rëndë të dehur, nuk iu bind urdhrit të policisë për ndalim dhe përfundoi duke shkaktuar aksident në qendër të fshatit Bogorodicë.
Sipas policisë së RMV-së, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 9 marsit rreth orës 21:00, kur nëpunësit policorë nga Stacioni për Kalim Kufitar dhe Mbikëqyrje Kufitare Bogorodicë i kanë dhënë shenjë për ndalim një automjeti të tipit “Alfa Romeo” me targa të Vallandovës, të cilin e drejtonte 43-vjeçari I.D. nga Gjevgjelia.
Shoferi nuk ka ndaluar dhe pak çaste më vonë ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke u përplasur me një monument në qendër të fshatit.
Nga aksidenti ai ka pësuar lëndime dhe i është ofruar ndihmë nga ekipi i Ndihmës së Shpejtë të Gjevgjelisë. Pas testimit, policia ka konstatuar se ai kishte 2.35 promilë alkool në gjak, ndërsa targat e automjetit rezultuan se i përkisnin një makine tjetër.
Rreth orës 21:25, policia nga Stacioni Policor Gjevgjeli e ka privuar nga liria 43-vjeçarin. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës penal.VOXAL