
Humbin jetën 49 pasagjerë pas rrëzimit të aeroplanit mbi Rusi, mes tyre 5 fëmijë
Një avion pasagjerësh i kompanisë siberiane “Angara”, tipi An-24, me gjithsej 49 persona në bord, është rrëzuar në pjesën lindore të Rusisë, pranë kufirit me Kinën. Sipas të dhënave fillestare nga autoritetet, asnjë person nuk ka mbijetuar.
Avioni ishte nisur drejt qytetit Tinda, por u zhduk nga radarët teksa fluturonte mbi rajonin Amur. Në bord ndodheshin 43 pasagjerë, përfshirë pesë fëmijë, dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.
Guvernatori i rajonit, Vasili Orlov, bëri të ditur se janë mobilizuar të gjitha forcat për kërkim-shpëtim. Helikopteri Mi-8 që po merrte pjesë në operacion nuk arriti të ulet për shkak të terrenit të vështirë, ndaj ekipet e shpëtimit vazhduan në këmbë drejt vendngjarjes.
Sipas Ministrisë për Situata të Jashtëzakonshme të Rusisë, mbetjet e djegura të avionit janë gjetur në shpatet e një mali, vetëm 15 kilometra nga destinacioni. Pjesë të trupit të avionit janë vërejtur në flakë nga helikopterët e Agjencisë Federale të Transportit Ajror.
Një hetim për shkaqet e rrëzimit është duke u zhvilluar.