Hristijan Mickoski: I kuptoj qytetarët e revoltuar – s’ka logjikë të bëj pakt me Artan Grubin
Kryeministri Mickoski në një intervistë në emisionin “Tema e ditës” në televizionin Sitel, duke folur për rastin e Artan Grubit dhe reagimet në opinion, theksoi se e kupton pakënaqësinë e qytetarëve dhe i mbështet ata. Sa i përket akuzave të opozitës për një marrëveshje të mundshme, ai pyeti pse do të bënte marrëveshje me dikë që e ka sulmuar ashpër.
“Po e ndjek debatin që po zhvillohet këto 2-3 ditë rreth rastit Grubi dhe, nga ajo që dëgjoj e lexoj në rrjetet sociale, por edhe nga mesazhet që më arrijnë, është kjo: kemi qytetarë me të drejtë të revoltuar, të cilët në memorien e tyre kolektive ende i kanë pamjet nga e kaluara kur porositeshin procese gjyqësore, njerëz vendoseshin në paraburgim dhe më pas liroheshin sipas nevojës. Ju kujtohen ndryshimet kushtetuese, kur njerëz liroheshin brenda natës për të hyrë në Parlament dhe për të votuar. Nuk do t’i komentoj të gjitha incizimet që dolën në publik, ku funksionarë të lartë të qeverisë së kaluar porosisnin procese gjyqësore në Gjykatën Supreme dhe në gjykata të tjera. Prandaj, absolutisht i kuptoj qytetarët dhe i mbështes,” tha Mickoski.
Duke i’u përgjigjur akuzave të opozitës për bashkëpunim eventual të Qeverisë me Grubin, Miskosi tha se janë të palogjikshme.
“Më së shpeshti ata akuzojnë me tezën se ekziston një marrëveshje mes qeverisë dhe Grubit. Tani le ta analizojmë objektivisht, sepse një gjë është politika, e tjetër është realiteti. Fillimisht, kujtoni se zhvilluan fushatë se qeveria e ka lënë Grubin të arratiset. Pastaj, kur ai u paraqit në pikën kufitare Bllacë, zhvilluan fushatë se qeveria po e shpëton BDI-në. Në fund, kur prokuroria dhe gjykata caktuan masën e arrestit shtëpiak, thanë se kjo është me urdhër të paktit që qeveria paska lidhur me Grubin. Unë isha i vetmi që personalisht jam sulmuar më së shumti nga Grubi në të kaluarën. Jam i vetmi që nga figura të larta zyrtare të BDI-së, si në të kaluarën ashtu edhe sot, jam sulmuar personalisht me pasione të ulëta, me gënjeshtra dhe me konstruktime, në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe më brutale. Cila është logjika që unë të lidh pakte me persona si Artan Grubi dhe të ngjashëm, që ata të marrin masa më të lehta sigurie?”, deklaroi kryeministri Mickoski.