
Historia e 62-vjeçarit: 25 aplikime të refuzuara pasi i kërkuan ryshfet, tani punon si punëtor krahu
Në moshën kur shumica përgatiten për pension, 62-vjeçari Fari Imeri ende del çdo mëngjes në rrugë për të kërkuar një ditë pune. Prej më shumë se tri dekadash ai është pjesë e grupeve të punëtorëve të krahut, që presin çdo ditë të angazhohen për punë fizike – pa kontratë, pa siguri dhe pa të drejta.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të gjetur një punësim të qëndrueshëm, Fariu thotë se nuk ka arritur të marrë asnjëherë përgjigje pozitive nga institucionet publike.
“Kam dorëzuar 25 kërkesa në ndërmarrjen ‘Higjiena Komunale’, por kurrë nuk më kanë thirrur. Prej vitit 1992 jam në këtë situatë. Sistemi shumëpartiak vetëm na ka lodhur,” thotë ai.
Situata bëhet edhe më e rëndë kur Fariu kujton se në një rast i është kërkuar një shumë e konsiderueshme për t’u punësuar në ndërmarrje publike.
“Një njeri më tha: më jep 5 mijë euro dhe të punësoj. Si t’i gjej unë 5 mijë euro? Kjo ka ndodhur para 10-12 vitesh, në kohën e BDI-së,” tregon ai.
SHIKO VIDEON NË FACEBOOK:
Dita e tij nis herët në mëngjes dhe mund të zgjasë deri në 10 orë – gjithçka varet nëse dikush kërkon ndihmë për ngarkim, shkarkim apo bartje mallrash. Por edhe kur ka punë, nuk ka asnjë garanci që do të paguhet.
“Ka njerëz që nuk të japin as paratë. Kur kërkojmë 2.000 denarë, thonë: ‘Ti s’je profesionist’. S’mund të arrijmë as 250 euro në muaj – një ditë ka punë, një ditë jo” shprehet ai.
Fari Imeri është vetëm një nga shumë punëtorë të margjinalizuar që mbijetojnë çdo ditë në një sistem që shpesh i lë pas dore. Historia e tij është një thirrje për reflektim mbi trajtimin e punëtorëve informalë, që edhe pas dekadash pune, vazhdojnë të kërkojnë vetëm një mundësi. /VOXAL/