Higjiena Komunale shpenzon mbi 1.4 milionë euro për mirëmbajtje, ndërsa Shkupi mbytet në mbeturina
Që nga janari i këtij viti, Ndërmarrja Publike Higjiena Komunale – Shkup ka lidhur marrëveshje për mirëmbajtjen e automjeteve dhe kamionetave me një vlerë të përgjithshme prej 86.076.280 denarë, apo 1.404.151 euro.
Sipas një analize të Voxal, të dhënat e publikuara në Sistemin elektronik të prokurimeve publike tregojnë shpërndarje të shpenzimeve që lë me gisht në kokë. Shifra më e madhe e kontraktuar është për servisimin e automjeteve të rënda dhe të lehta, si dhe për pjesë rezervë, në vlerë prej 25.890.000 denarë – mbi 422 mijë euro. Pas saj, renditet një marrëveshje për blerjen e gomave për makineri speciale komunale, automjete të lehta dhe makineri ndërtimore, me vlerë prej 16.930.000 denarë, apo mbi 276 mijë euro.
Në kategorinë e tretë janë shpenzuar 15.512.280 denarë apo 253 mijë euro për blerjen e kazaneve për mbeturina, ndërsa për pjesë rezervë dhe furça për fshesa komunale janë kontraktuar 11.800.000 denarë, që përkthehet në afër 192 mijë euro.
Lista vazhdon me shpenzime më të vogla, por jo të parëndësishme:
– 5.900.000 denarë (96 mijë euro) për auto-elektrik,
– 5.310.000 denarë (86 mijë euro) për vajra dhe antifrizë,
– 826.000 denarë (13 mijë euro) për drita automjetesh,
– 708.000 denarë (11.500 euro) për xhama automjetesh,
– 472.000 denarë (7.600 euro) për rrota për kazanë plehrash.
Në vetëm nëntë muaj, sipas analizës së Voxal, ndërmarrja ka kontraktuar mbi 1.4 milionë euro për mirëmbajtjen e flotës së saj. Por paradoksi mbetet i dukshëm, pavarësisht shpenzimeve të mëdha, Shkupi vazhdon të përballet me bërllogun në çdo lagje.