Hetim ndaj gjashtë personave për tregti me drogë
Pas ndalimit të përkohshëm dhe mbledhjes së të gjitha provave të nevojshme në këtë fazë, prokurori publik kompetent nga Prokuroria Themelore Publike Shkup sot formalisht ka hapur hetim ndaj gjashtë personave për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepër penale të vazhduar – Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, njoftojnë nga MPB.
“Në periudhën kohore nga data 1 maj 2025 deri më 3 korrik 2025, të dyshuarit në mënyrë të përbashkët, në disa raste me dashje, kanë kryer një sërë veprimesh të ndërlidhura në kohë, që përbëjnë kryerje të shumëfishtë të të njëjtës vepër penale – tregti me drogë, duke shfrytëzuar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe rrethana të njëjta ose të ngjashme. Ata kanë shitur në mënyrë të paautorizuar, ose kanë mbajtur drogë narkotike në mënyrë të paautorizuar me qëllim shitjeje – amfetaminë me peshë neto prej rreth 6.5 kilogramësh, marihuanë me peshë neto prej 257 gramësh dhe 98 tableta substancë psikotrope 3,4-metilen-dioksi-metamfetaminë (MDMA). Procedura parahetimore kundër të dyshuarve ka zgjatur disa muaj dhe një pjesë e provave është siguruar përmes masave të posaçme hetimore. Më 3 korrik, të gjithë të dyshuarit janë ndaluar në një aksion të koordinuar, me kërkesë të prokurorit publik dhe mbi bazën e urdhrave të siguruara paraprakisht nga gjykatësi i procedurës paraprake, janë kryer kontrolle në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë”.
Gjatë kontrollimeve, përveç drogave dhe substancave të përmendura më parë, janë gjetur dhe konfiskuar edhe sasi dhe pako shtesë me marihuanë, hashash, amfetaminë, kokainë, tableta të ndryshme, disa peshore digjitale, mjete të tjera dhe para të gatshme.
Prokurori publik sot i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozimin për caktimin e masës së paraburgimit efektiv për të gjashtë të dyshuarit.