Hamasi: Masakrat e Izraelit në Gaza janë një përpjekje për të rinisur gjenocidin
Hamasi njoftoi se sulmet e ushtrisë izraelite në Gaza, të cilat kanë vrarë të paktën 25 palestinezë, janë një “përshkallëzim i rrezikshëm nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu që kanë për qëllim rifillimin e gjenocidit kundër popullit palestinez”, transmeton Anadolu.
Hamasi publikoi një deklaratë në lidhje me sulmet e ushtrisë izraelite në Khan Younis dhe qytetet e Gazës.
“Ne dënojmë fuqimisht masakrën e tmerrshme të kryer nga pushtuesi i Izraelit në Gaza dhe Khan Younis, e cila ka çuar në martirizimin e më shumë se 25 palestinezëve, përfshirë fëmijë dhe gra. Ne e konsiderojmë këtë një përshkallëzim të rrezikshëm nga krimineli i luftës Netanyahu, i cili po përpiqet të rifillojë gjenocidin kundër popullit tonë”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë mohohen akuzat se ndaj trupave izraelite u hap zjarr në Gaza dhe bëhet e ditur se Izraeli po i bën këto akuza për të justifikuar sulmet e tij që shkelin armëpushimin.
Tërhiqet vëmendja se Izraeli ka vrarë më shumë se 300 palestinezë në sulme që shkelin marrëveshjen e armëpushimit në Gaza që nga hyrja e saj në fuqi më 10 tetor.
Gjithashtu thuhet se Izraeli vazhdon të shembë shtëpitë dhe ndërtesat në Gaza dhe të mbajë të mbyllur Kalimin Kufitar Rafah, duke sfiduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet rajonale që garantojnë armëpushimin.
Duke iu drejtuar administratës amerikane, deklarata i bën thirrje SHBA-së të përmbushë angazhimet e saj të shpallura, të ushtrojë presion të serioz mbi Izraelin për ta ndaluar atë dhe të sigurojë që Izraeli të respektojë armëpushimin dhe të ndalojë sulmet që shënjestrojnë palestinezët.
Deklarata i drejtohet gjithashtu ndërmjetësve Egjiptit, Katarit dhe Turqisë garantues të marrëveshjes së armëpushimit, që të detyrojnë Izraelin të ndalojë shkeljet e tij që kërcënojnë armëpushimin.
Ushtria izraelite nisi sulme ajrore në Khan Younis dhe Gaza me pretendimin për hapje të zjarrit ndaj trupave të saj të stacionuara në Rafah, një qytet në Gazën jugore.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se 25 palestinezë u vranë dhe 77 të tjerë u plagosën në sulmet izraelite.