Greqi: 75-vjeçarja nga Maqedonia e Veriut mbytet në plazhin e Sozopolit
Pasditen e djeshme, një shtetase 75-vjeçare nga Maqedonia e Veriut u nxor pa shenja jete nga uji në plazhin Sozopoli, në komunën Nea Propontida, pranë gadishullit të parë të Halkidikit. Ekipi i ndihmës së shpejtë i dha ndihmën e parë dhe më pas ajo u transportua në spital, ku mjekët konstatuan vdekjen, raporton korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Shërbimi bregdetar grek njoftoi se autoritetet e Nea Mudanisë janë informuar për rastin e 75-vjeçares, shtetase e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila ishte nxjerrë nga uji pa shenja jete në plazhin Sozopoli.
Pasi mbërriti autoambulanca, asaj iu dha ndihma e parë dhe u dërgua në Qendrën Shëndetësore në Nea Mudania, ku u konstatua vdekja.
Sipas njoftimeve, në kuadër të hetimeve paraprake, është urdhëruar autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Selanik.
Sipas informacioneve të MIA-s, ky është rasti i katërt i mbytjes së një shtetasi nga Maqedonia e Veriut në plazhet greke gjatë këtij sezoni.
Gjatë dy muajve të fundit kanë humbur jetën një djalosh 20-vjeçar në gadishullin e parë të Halkidikit, një grua 77-vjeçare në gadishullin e dytë dhe një burrë 80-vjeçar pranë Kavallës.