Glauk Konjufca propozohet për mandatar, pritet votimi në Këshillin e VV
Lëvizja Vetëvendosje po zhvillon sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku po shqyrtohet propozimi për mandatarin e ri të Qeverisë së Kosovës. Kandidati i propozuar për këtë post është kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Pas propozimit, pritet votimi brenda Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, i cili do të përcaktojë nëse Konjufca do të jetë zyrtarisht mandatar për formimin e qeverisë së re.
Në fjalimin e tij para Këshillit, kryeministri në detyrë Albin Kurti i bëri thirrje opozitës ta mbështesë Konjufcën, duke theksuar se ky hap është “në funksion të miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm”.
Nëse miratohet nga Këshilli, emri i Konjufcës do t’i përcillet Presidentes Vjosa Osmani, e cila formalisht duhet ta mandatojë për krijimin e Qeverisë. Sipas afatit kushtetues, Vetëvendosje do të ketë 15 ditë kohë për të thirrur seancën e Kuvendit dhe për të siguruar të paktën 61 vota për ta zgjedhur kryeministrin.
Aktualisht, Vetëvendosje llogarit rreth 56 vota të sigurta, në bazë të rezultatit të votimit për Albin Kurtin më 26 tetor. Megjithatë, partitë opozitare – LDK, PDK, AAK dhe NISMA – kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin qeverinë e re, duke insistuar në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Tashmë mbetet që Vetëvendosje të nisë bisedimet me partitë e tjera për të siguruar shumicën e nevojshme në Kuvend, ndërsa vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm politik që mund të përcaktojë nëse do të formohet qeveria e re apo do të shkohet drejt zgjedhjeve.