Gjoba nga 100 deri në 5.000 euro! Ligj i ri për mbrojtje nga pirja e duhanit
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, u zotua se do të dëgjohen të gjithë ata që i prek Ligji për mbrojtje nga duhanpirja, përfshirë edhe komunitetin e biznesit, por siç tha ai, nuk do të miratohet një ligj hibrid që do të ishte i pazbatueshëm.
Ai pohon se Projektligji, që tashmë është në debat publik përmes sistemit ENER, nuk është restriktiv, por është plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe se, ndryshe nga ligji i mëparshëm i miratuar më shumë se një dekadë më parë, tani do të zbatohet në të gjithë shtetin.
Nëse miratohet në këtë formë siç është propozuar, duhanpirja do të ndalohet brenda dhe rreth institucioneve publike, përkatësisht në çdo pronë shtetërore. Nuk do të lejohet duhani në asnjë objekt hotelerie, as në terrene sportive, qofshin të mbyllura apo të hapura, si dhe nuk do të lejohet asnjë lloj reklame, jo vetëm në mediat tradicionale, por as në ato online. Ndalimi vlen edhe për personazhet publike dhe influencuesit, të cilët nuk do të lejohen në asnjë mënyrë të promovojnë duhanpirjen, produktet apo pajisjet për duhan.
DUHANPIRJA DO TË NDALOHET NË:
• Të gjitha objektet e hotelerisë (kafene, bare, restorante, mejhane)
• Zyra, kompani dhe institucione
• Qendra tregtare, dyqane dhe tregje
• Spitale, shkolla, çerdhe dhe fakultete
• Transport publik dhe taksi
• Hapësira të përbashkëta në ndërtesa banimi (ashensorë, korridore)
• Automjete private nëse në to ndodhet fëmijë
Duhanpirja do të lejohet vetëm në tarraca të hapura dhe hapësira që janë të rrethuara vetëm nga njëra anë dhe të hapura nga tri anë.
DO TË NDALOHET:
• Reklamimi i cigareve, cigareve elektronike dhe pajisjeve
• Promocione, zbritje, dhurata dhe kuponë
• Influencuesit dhe personazhet publike të shfaqin duhanpirje
• Sponsorizimi i koncerteve, festivaleve dhe ngjarjeve sportive e kulturore nga kompanitë e duhanit
• Shitja përmes internetit, automatëve dhe shitja e cigareve individuale
• Shitja personave nën moshën 18 vjeç
• Shitja dhe prodhimi i duhanit dhe nikotinës me aroma dhe shije (mente, fruta, ëmbëlsira etj.)