
Selmani denoncon vandalizim të makinës, politika shqiptare reagon
Gazetari Naser Selmani, denoncoi se automjetit të tij të parkuar para ndërtesës ku jeton në Shkup, i është dëmtuar goma me thikë. Selmani theksoi se nuk ka konflikte personale dhe e cilësoi ngjarjen si akt të shëmtuar që cenon lirinë e fjalës.
Rastin e ka paraqitur në polici dhe pret zbardhje të plotë.
“Nuk i kam borxh askujt dhe nuk kam konflikt me askend! Rastin e paraqita në polici dhe pata një bisedë të shkurt me ministrin e brendshëm, Pançe Toshkovskin, për ta njoftuar për këtë incident dhe kërkova të zblulohen autorët dhe inspiratorët e krimit. Unë jam gazetar dhe nuk jam anëtar i asnjë partie politike” shkroi Selmani.
Rastin e dënuan pushteti dhe opozita. VLEN kërkon reagimin e institucioneve kompetente.
“Ky akt i papranueshëm nuk është vetëm një goditje ndaj tij personalisht, por edhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias, të drejtës së qytetarëve për informim dhe vetë themeleve të demokracisë” theksojnë nga VLEN.
Reagim të menjëhershëm institucional, kërkojnë edhe nga BDI.
“Sulmi ndaj makinës së gazetarit Naser Selmani është një akt i shëmtuar dhe i papranueshëm, që synon frikësimin dhe heshtjen e zërit kritik. Liria e shprehjes dhe siguria e gazetarëve janë themeli i çdo shoqërie demokratike, dhe çdo përpjekje për t’i cenuar ato përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë në vend,” theksojnë nga BDI.
Reagime ka pasur edhe nga shoqëria civile.
