Gastronomia në rrezik nga ligji i ri për duhanin: priten pushime nga puna
Ligji i ri për ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura do të prekë drejtpërdrejt sektorin e gastronomisë, dhe do të shkaktojë pasoja të rënda ekonomike. Bashkim Loki, njëri ndër pronarët e një objekti gastronomik thotë se kjo masë do të çojë në një ulje të qarkullimit, e cila do të detyrojë disa nga gastronomët të pushojnë nga puna punonjësit.
Ai thotë se me zgjidhjen aktuale ligjore, lokalet kanë investuar në krijimin e kushteve për duhanpirësit, por me ndryshimet e reja ato investime bëhen të pakuptimta.
Sipas propozim ligjit, ndalimi do të zbatohet për të gjithë gastronomët, duke përfshirë restorantet, baret, tavernat dhe mensat. Dispozitat e reja nuk bëjnë dallim midis produkteve klasike të duhanit dhe alternativave moderne. Të njëjtat ndalime do të zbatohen për të gjitha llojet e cigareve elektronike dhe pajisjeve Vape, dhe gjithashtu parashikohet një ndalim i plotë i cigareve me aromë dhe produkteve të nikotinës.
Pirja e duhanit do të ndalohet gjithashtu në tarracat e kafeneve dhe restoranteve, nëse ato nuk janë plotësisht të hapura nga të paktën tre anë, që do të thotë se një pjesë e madhe e tarracave ekzistuese gjysmë të hapura nuk do të mund të përdoren më për këtë qëllim
Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, theksoi se ligji nuk është kundër duhanpirësve, por të mbrojë shëndetin e qytetarëve dhe t’i ndihmojë duhanpirësit ta lënë duhanin.
Ligji parashikon gjithashtu shtrirjen e ndalimit në një numër vendesh dhe situatash të tjera, duke përfshirë pirjen e duhanit në një veturë nëse ka fëmijë duke udhëtuar, në stacionet e autobusëve dhe trenave, tregjet dhe hapësirat e tjera publike. Statistikat gjithashtu tregojnë se rreth 4,000 persona në vend humbin jetën çdo vit si rezultat i sëmundjeve të lidhura me pirjen e duhanit, dhe të rinjtë në vend fillojnë pirjen e duhanit në moshën 13 vjeçare, ndërsa 40 për qind e popullsisë janë duhanpirës deri në moshën 18 vjeçe. Ligji pritet të hyjë në fuqi më 1 mars.