
Fyerjet në Kumanovë/MPB: Në pyetje disa persona, një është arrestuar
Lidhur me ndeshjen e basketbollit që u zhvillua më 02.08.2025 në Pallatin e Sporteve në Kumanovë, disa të dyshuar tashmë janë thirrur në Stacionin Policor të Kumanovës dhe është kryer bisedë zyrtare, dhe pas analizave të kryera në koordinim me Prokurorinë Publike të Kumanovës, do të merren masa specifike ligjore kundër personave të përfshirë, përfshirë edhe ndjekje penale.
“Sot, oficerët e Stacionit Policor të Kumanovës e privuan nga liria S.M. (30) nga Kumanova, i cili dyshohet se është përpjekur të sjellë një banderolë me përmbajtje ofenduese gjatë pushimit të ndeshjes së basketbollit. Pas sqarimit të plotë të rastit, kundër tij do të pasojë një padi përkatëse”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Në këtë kontekst, Ministria e Brendshme thekson edhe një herë se në kuadër të sigurimit të garave sportive paqësore dhe të papenguara, policia do të jetë jashtëzakonisht rigoroze në lidhje me çdo shkelje të rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht çdo thirrje ofenduese të bazuar në përkatësi kombëtare, etnike ose fetare, dhe kjo do të sanksionohet në mënyrën më të ashpër, pa asnjë tolerancë. Vetëm brohoritjet dhe inkurajimi i drejtë sportiv mund të na sjellin sukses, fitore dhe gëzim sportiv.
Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe anëtarëve të grupeve të tifozëve që të bëjnë tifo për të preferuarit e tyre sportivë, por në frymë sportive, pa gjuhë urrejtjeje, pa asnjë fyerje të bazuar në përkatësi personale, etnike, fetare ose ndonjë përkatësie tjetër që nuk është e përshtatshme për gara sportive dhe është në kundërshtim me ligjin.