Finiqi në flakë, evakuohen banorë, në rrezik Hidrocentrali i Bistricës
Një natë tejet sfiduese është regjistruar në bashkinë Finiq, ku vatra të shumta zjarri, të përhapura nga era e fortë dhe temperaturat e larta, kanë përfshirë disa fshatra të zonës.
Në përballje me flakët janë angazhuar forcat zjarrfikëse të bashkive Finiq, Delvinë, Konispol dhe Sarandë, të mbështetura nga pesë automjete zjarrfikëse, 70 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 20 efektivë të Policisë së Shtetit.
Zjarri ka prekur zonat e Velahovës, Livinës, Ardhasovës, Bistricës dhe Krongjinit. Si masë paraprake, janë kryer evakuime të përkohshme të banorëve në fshatrat Livinë dhe Ardhasovë, dhe është ofruar asistencë mjekësore për të moshuarit dhe personat në nevojë.

Në orët e para të mëngjesit, është realizuar një operacion i suksesshëm për mbrojtjen e Hidrocentralit të Bistricës, i cili ndodhej në rrezik nga përhapja e flakëve. Autoritetet njoftojnë se pritet ndërhyrje edhe nga ajri, për të ndihmuar në përmbajtjen e zjarrit.
Qarkullimi i automjeteve në aksin Muzinë–Bistricë mbetet i kufizuar për arsye sigurie, deri në përfundimin e operacioneve dhe neutralizimin e çdo vatre të rrezikshme.
Forcat operacionale dhe vullnetarët po vijojnë punën për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të mbrojtur banesat, bizneset dhe jetët njerëzore në zonat e prekura.