Fillon pastrimi i deponisë mbi dy dekada të vjetër në Nikushtak që helmonte banorët
Deponia e cila tashmë mbi 20 vite është “simbol i të shëmtuarës” në rajonin e Likovës, po hiqet. Me vendim të Ministrisë së Ambientit Jetësor, janë ndarë mjete për pastrimin e mbeturinave toksike të cilat për gjatë kohë helmojnë banorët përreth.
“Fillojmë aksionn për sanimin e deponisë së egër në fshatin Nikushtak të komunës së Likovës. Lokacioni Nikushtak është identifikuar si një ndër më të rrezikshmit në planin kombëtar për menaxhimin e mbeturinave, për shkak të rreziqeve serioze mjedisore dhe shëndetësore që ai sjell. Shpesh ndodhin zjarre dhe efekte të tjera negative që kërcënojnë shëndetin e popullsisë jo vetëm në Likovë por edhe komuna fqinje si Haraçina”, deklaroi Izet Mexhiti.
Për pastrimin e deponisë në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës banorët presin më shumë se dy dekada. Gjatë kësaj periudhe ka vazhduar helmimi i tyre me mbetje të ndryshme të rrezikshme dhe zhonglim të fajit nga njëra anë në tjetrën.
Ndërmarrja Publike Komunale e Komunës së Likovës “Pisha” që nga viti 1997 me vendim të këshillit komunal, i hedh mbeturinat e fshatrave Nikushtak, Orllancë dhe Grushinë në këtë deponi pa asnjë standard, vetëm me një gardh të egër.