Fillojnë punimet për ndërtimin e fushës ndihmëse në stadiumin e FC Shkupit
Kreu i komunës së Çairit, Visar Ganiu ka njoftuar se sot zyrtarisht kanë filluar punimet për ndërtimin e fushës ndihmëse në kuadër të stadiumit të FC Shkupit. Gjatë fillimit të punimeve prezent ishin edhe zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti dhe Kryetarit i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut Masar Omeragiq dhe zëvendësministrja e Sportit, Safije Shahini Sadiki.
“Fusha do të ketë sipërfaqe prej 4644 m² , me bar artificial të standardeve të FIFA-s , drenazh atmosferik dhe ndriçim të plotë , që mundëson përdorim gjatë gjithë vitit. Punimet pritet të përfundojnë brenda një afati prej 45 deri në 60 ditësh”, ka shkruar Ganiu.
Zv/kryeministri Mexhiti tha se ky investim është një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve për stërvitje dhe zhvillim profesional.
“Fusha ndihmëse do të ketë përmasa 80 metra gjatësi dhe 50 metra gjerësi, me koris mbrojtëse prej 3 metrash në të katër anët. Ky projekt do të realizohet sipas standardeve të FIFA-s, me bari artificial cilësor, sistem atmosferik për kullim që e bën funksionale edhe gjatë kushteve të motit me reshje, si dhe ndriçim të plotë për përdorim në orare të ndryshme gjatë ditës dhe mbrëmjes”, tha Mexhiti.