Fetai takon zv/drejtorin e Agjencisë së Administratës, diskutohet Ligji për Përfaqësim të Drejtë
Zv/kryeministri Arben Fetai ka takuar sot zv/drejtorin e Agjencisë së Administratës, Muhamed Krasniqit, për të diskutuar rreth Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i miratuar në Qeveri javën e kaluar.
“Agjencia për Administratë është institucioni me kapacitetin administrativ dhe juridik për t’i zbatuar në praktikë rregullat e përfaqësimit të drejtë. Ligji i jep asaj funksionin e dizajnerit dhe mbikëqyrësit të politikave të punësimit, në përputhje me përbërjen etnike të popullsisë”, shkruan Fetai.
Zv/kryeministri thotë se duke filluar me këtë takim, do të vijojnë me përgatitjen e institucioneve për zbatimin e ligjit dhe përcjelljen e mbarëvajtjes së procesit.
“Ne po vijojmë me përkushtim të plotë t’i përgatisim institucionet për realitetin e ri sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve në administratë. Duke filluar me këtë takim dhe çdo ditë, çdo moment, në çdo institucion ne do të përcjellim mbarëvajtjen e procesit”, njoftoi Fetai.