Fetai në RTK: Po bëjmë punë që nuk janë bërë për dy dekada
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, në një intervistë për RTK Speciale ka folur gjerësisht për reformën në administratë, përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë, gjuhën shqipe, investimet dhe luftën kundër korrupsionit, duke nënvizuar se qeveria aktuale është reformuese dhe po bën punë që nuk janë bërë për dy dekada.
Duke komentuar Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, Fetai theksoi se ky ligj është dashur të miratohej që në vitin 2003, por u desh të kalojnë më shumë se 20 vjet që ai të bëhet realitet. Ai e quajti këtë një ligj “historik”, pasi për herë të parë përfaqësimi i drejtë dhe adekuat definohet me ligj, duke u bazuar në Marrëveshjen e Ohrit. Ligji parasheh formimin e një trupi koordinues që do të udhëhiqet nga një zëvendëskryeministër dhe shpërndarje proporcionale të të punësuarve në institucionet shtetërore.
Fetai akuzoi BDI-në për neglizhencë dhe kompromis të vazhdueshëm në dëm të shqiptarëve gjatë qeverisjes së saj shumëvjeçare. Sipas tij, gjithçka që ka ndërtuar BDI në emër të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe ligjin e gjuhëve, ka qenë produkt kompromisesh, jo avancimesh të mirëfillta. Ai theksoi se në RMV ekzistojnë ende institucione monoetnike, veçanërisht në sektorët e sigurisë, si njësitë speciale të MPB-së, si dhe në institucione të tjera si ato të kulturës dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve. Si pjesë e reformës, Fetai tha se qeveria do të ndalë konkurset në rastet kur konstatohet mbi-përfaqësim i ndonjë etnie.
Zëvendëskryeministri tha se shqiptarët janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë dhe janë rekrutuar në shkallën më të ulët të administratës publike, me pozita të tilla si “bashkëpunëtor i ri”. Ai theksoi se BDI për dy dekada nuk ka treguar vullnet për të pranuar kualifikimet e të punësuarve shqiptarë, duke i lënë ata të ngecin në pozita pa perspektivë avancimi.
Sa i takon gjuhës shqipe, Fetai siguroi se ajo nuk rrezikohet, sepse është gjuhë zyrtare sipas kushtetutës së vendit. Megjithatë, ai kritikoi faktin se në marrëdhëniet ndërkombëtare përdoret vetëm maqedonishtja, duke e cilësuar këtë si një përjashtim që nuk ekziston në asnjë vend tjetër të Evropës. Ai përmendi se ligji për gjuhët është ndryshuar disa herë, por gjithmonë përmes kompromiseve, ndërsa BDI e ka përdorur këtë çështje për propagandë. Sipas tij, ankesa të shumta janë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me ligjin për gjuhët, por për pesë vite ato janë mbajtur në sirtarë. Fetai tha se edhe kur u shqyrtuan, u shndërruan në spektakël publik, ndërsa BDI përhapi panik të rremë sikur po rrezikohej statusi i gjuhës shqipe, gjë që ai e mohoi kategorikisht.
Në intervistë, Fetai foli edhe për investimet që po realizohen nga kjo qeveri. Ai tha se po bëhen investime që nuk janë parë në 20 vite të qeverisjes së kaluar dhe përmendi disa projekte konkrete si autostrada Shkup-Bllacë, rruga Prizren-Tetovë dhe ndërtimi i kampusit universitar “Nënë Tereza” me një buxhet prej 34.5 milionë euro. Ai tha se janë investuar 20 milionë euro në ndërtimin e parkingjeve në kate në Sheshin Skënderbeu dhe përmendi mungesën e kapaciteteve të disa komunave për të dorëzuar projekte të mjaftueshme, ndonëse fondet nga qeveria janë të hapura. Me tone të ashpra, Fetai akuzoi BDI-në për korrupsion edhe në projektet më themelore si kanalizimi i Zajazit, duke deklaruar se “BDI ka vjedhur edhe në kanalizimin e Zajazit”, ndërsa qeveria aktuale po e përfundon këtë projekt.
Duke folur për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Fetai tha se si Ministër për Qeverisje të Mirë ka hartuar një strategji konkrete të bazuar në katër shtylla: lufta kundër korrupsionit, fuqizimi i hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë së paligjshme, transparenca dhe qasja në informacion për qytetarët dhe mediat, si dhe dialogu strategjik me shoqërinë civile. Ai tha se për vitin 2025 është hartuar një plan vjetor i qasshëm për të gjithë qytetarët, që do të shërbejë si udhërrëfyes për reformimin e administratës dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Në fund, Fetai u ndal edhe te përmirësimi i kushteve në pikat kufitare me Kosovën, duke theksuar se me vendosjen e sistemit “one stop shop” në Bllacë, Jazhincë dhe së shpejti në Bellanoc-Stançiq, janë eliminuar pritjet e gjata në kufi. Sipas tij, pritjet që dikur zgjasnin deri në dy orë, sot janë reduktuar në 10-15 minuta falë marrëveshjeve të arritura me Republikën e Kosovës.