Fetai: Miratohet strategjia për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Shoqërisë Civile
Pas një procesi gjithëpërfshirës, transparent dhe thellësisht konsultativ me organizatat e shoqërisë civile, institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë, sot në Qeveri u miratua dokumenti strategjik që do të udhëheqë politikat shtetërore për forcimin e sektorit civil në katër vitet e ardhshme, njoftoi kabineti i zv/kryeministrit Arben Fetai.
Strategjia 2025–2028 fokusohet në dy fusha prioritare: krijimin e një mjedisi të favorshëm për funksionimin dhe zhvillimin e shoqërisë civile, si dhe forcimin e partneritetit ndërmjet organizatave qytetare dhe institucioneve publike.
“Ky dokument është rezultat i angazhimit të përbashkët dhe dialogut të hapur – duke filluar nga thirrja publike në nëntor 2024, grupi punues i përbashkët me organizatat qytetare, konsultimet përmes platformës ENER, dëgjimet publike me mbështetjen e Qendrës për Resurse Qytetare, deri te integrimi i rekomandimeve dhe komenteve të dhëna nga komuniteti i gjerë qytetar dhe institucionet. Vlerësimi pozitiv i dhënë nga Këshilli për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile konfirmon cilësinë dhe përkushtimin që qëndron pas këtij dokumenti”, thuhet në njoftim.
“Vizioni ynë është i qartë: të ndërtojmë një sektor civil gjithëpërfshirës, të pavarur dhe profesional, që vepron si partner strategjik i institucioneve në krijimin dhe zbatimin e politikave publike”, thotë njoftimi i zv/kryeministrit Fetai.
Tani nis zbatimi i Strategjisë dhe i Planit të Veprimit, me një theks të veçantë në ndërtimin e mekanizmave efektivë për monitorim dhe vlerësim, përmes përgatitjes së pasaportave të indikatorëve në bashkëpunim të ngushtë me organizatat qytetare.
Kjo strategji nuk është vetëm një dokument formal – është një angazhim konkret për të forcuar rolin e shoqërisë civile në jetën demokratike të vendit tonë.
Së bashku ndërtojmë institucione më të përgjegjshme, politika më të drejta dhe një demokraci më të qëndrueshme.