Fetai: BDI e ktheu Marrëveshjen e Ohrit në mjet klientelizmi dhe vasaliteti
Një nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Fetai ka akuzuar BDI-në se nuk ka zbatuar kurrë thelbin e Marrëveshjes së Ohrit, por e ka përdorur atë për përfitime politike.
“BDI kishte çdo mundësi për 22 vjet të zbatonte Marrëveshjen e Ohrit, të zyrtarizonte gjuhën shqipe dhe të ndërtonte barazi të vërtetë. Por ata e kthyen atë nga një akt paqeje në një mjet për klientelizëm dhe vasalitet”, tha Fetai.
Ai shtoi se shqiptarët janë lënë të anashkaluar, të varfër dhe pa shpresë, ndërsa elita politike e BDI-së është pasuruar përmes korrupsionit.
Ai shtoi se thirrjet e Ali Ahmetit si “do të ndodhë populli” janë të rrezikshme dhe ringjallin gjuhën e urrejtjes të përdorur nga Sllobodan Millosheviçi, ndërsa Bujar Osmani po tenton të defokusojë opinionin me ide për “referendum” për të mbuluar të kaluarën e tij korruptive.
Fetai bëri thirrje qytetarëve që të refuzohet nacionalizmi i rremë dhe të zgjedhin një Maqedoni të Veriut evropiane, të zhvilluar dhe me qeverisje të mirë.