Fëmijët e Blerim Bexhetit hapin kompani ndërtimore derisa ai ishte nën hetim
Sipas analizës së Radio Evropa e Lirë (REL), dy fëmijët e deputetit të BDI-së dhe ish-kryetarit të Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, kanë themeluar kompani ndërtimore në kohën kur ndaj tij po zhvillohej procedurë parahetimore nga Prokuroria për dyshime mbi falsifikim të një leje ndërtimi gjatë kohës sa ai drejtonte komunën.
Bëhet fjalë për 19-vjeçarin Valon Bexheti dhe 21-vjeçaren Elma Bexheti, të cilët më 16 shtator 2025 kanë regjistruar kompaninë “VE-INVEST HOLDING DOOEL Shkup” në Regjistrin Qendror, me veprimtari të deklaruar ndërtim i objekteve banesore dhe jobanesore. Kapitali fillestar i kompanisë është 5.000 euro jomonetar, i përbërë nga pajisje shtëpiake dhe pune, duke përfshirë makinë shpimi, dollapë, zmerile, telefon mobil, tavolinë zyre dhe tavolinë salloni, vlera e të cilave është përcaktuar nga vlerësues i autorizuar, sipas REL.
Sipas analizës së REL, selia e kompanisë ndodhet në Çair, pranë qendrës tregtare Mavrovka, në një banesë në pronësi të Bedjet Bexhetit, babait të Blerim Bexhetit. Kjo banesë është e deklaruar në anketën pasurore të deputetit, por kompania e fëmijëve nuk figuron e raportuar në dokumentet e dorëzuara në Antikorrupsion (KSHPK), thekson REL.
Megjithëse kompania është e regjistruar për ndërtim, Blerim Bexheti ka deklaruar për REL se fëmijët e tij nuk planifikojnë të ndërtojnë banesa. Ai shpjegon se veprimtaria ndërtimore është vetëm një klauzolë e përgjithshme, ndërsa fëmijët do të merren me një aktivitet tjetër. Ai shton se fëmijët janë persona madhorë dhe nuk jetojnë në të njëjtën bashkësi familjare me të.
Sipas REL, Antikorrupsioni (KSHPK) ka hapur lëndë për verifikim, pasi ligji obligon funksionarët e zgjedhur të raportojnë brenda 30 ditësh çdo rritje të pasurisë së tyre ose të anëtarëve të familjes që tejkalon 20 paga mesatare. Mosrespektimi i këtij obligimi parashikon gjobë prej 300 deri në 500 euro.
REL rikujton se Policia Financiare ka ngritur kallëzim penal ndaj Blerim Bexhetit për ndërtimin e një objekti pesëkatësh në Saraj, për të cilin dyshohet se është ndërtuar në parcelë pa plan urbanistik. Investitori ka përfituar rreth 1.7 milionë euro, sipas REL. Bexheti i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si politikisht të montuara dhe juridikisht të pabazuara, ndërsa si deputet aktual ai gëzon imunitet parlamentar./VOXAL/