Evropa rrezikon mungesë të dizelit që në maj, paralajmëron Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë
Azia deri tani ka qenë më e goditura nga ndërprerjet e furnizimit me energji nga Lindja e Mesme, ndërsa Evropa mund të përballet me mungesë të dizelit dhe karburantit të avionëve më së voni në maj, paralajmëroi drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji (IEA), Fatih Birol.
Irani u përgjigj ndaj sulmeve amerikano-izraelite mbi infrastrukturën energjetike me sulme kundër objekteve energjetike në vende të tjera të rajonit të Gjirit Persik. Teherani, gjithashtu, mori kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, duke ndaluar tranzitin e anijeve të lidhura me SHBA-në, Izraelin dhe aleatët e tyre.
“Kriza aktuale globale e energjisë është më serioze se goditjet e naftës të viteve 1973 dhe 1979, si dhe më e rëndë se mungesa e gazit në vitin 2022 e shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës,” tha Birol në një podcast me drejtorin e fondit norvegjez të pensioneve, Nikolai Tangen.
“Sulmet iraniane ndaj kapaciteteve energjetike dhe kufizimet e lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit i kanë ulur furnizimet me naftë nga rajoni me më shumë se 12 milionë fuçi në ditë,” tha Birol. Furnizimi global me gaz u ul për rreth 75 miliardë metra kub në vitin 2022, por mungesa aktuale është edhe më e madhe, shtoi ai.
“Prilli do të jetë shumë më i keq se marsi,” paralajmëroi Birol, duke theksuar se në mars nafta dhe gazi i lëngshëm ende po arrinin në treg. Anëtarët e IEA-s vendosën në mes të marsit të hedhin në treg një rekord prej 400 milionë fuçish nafte nga rezervat – sasia më e madhe në histori, kujtoi drejtori i agjencisë.
“Por, duhet të jem shumë i sinqertë, kjo vetëm e zbut problemin, nuk e zgjidh atë,” paralajmëroi ai, duke shtuar: “Zgjidhja kyçe është hapja e Ngushticës së Hormuzit,” raporton Blic.