Evakuohen shtetas të RMV nga Izraeli, avioni qeveritar u nis nga Sharm el-Sheikh drejt vendit
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, njoftoi se është realizuar evakuimi i një pjese të shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga Izraeli, të cilët pasditen e sotme janë nisur me avion qeveritar nga Sharm el-Sheikh.
Sipas tij, siguria e qytetarëve maqedonas mbetet prioriteti kryesor, ndërsa procesi i evakuimit është koordinuar plotësisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Mucunski theksoi se operacioni ka kërkuar angazhim serioz të përfaqësive diplomatike dhe konsullore të vendit, respektim të rreptë të procedurave të sigurisë dhe koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve kompetente.
Ai bëri të ditur gjithashtu se është finalizuar procedura për lidhjen e një kontrate me një kompani, e cila në ditët në vijim pritet të nisë realizimin e fluturimeve për evakuimin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut edhe nga zonat e tjera të prekura nga kriza.
Sipas ministrit, përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të vendit mbeten në dispozicion 24 orë për qytetarët, për çdo ndihmë dhe mbështetje të nevojshme.