
Eugen Papraniku nga Dibra me medalje për tekonogji në Barcelonë
Shkolla Digjitale në Dibër ka pasur suksese të shumta në fushën e teknologjisë informative, jo vetëm në nivel vendor, por edhe ndërkombëtar. Para disa kohësh, një tjetër sukses i rëndësishëm u arrit nga nxënësit e kësaj shkolle në maratonën teknologjike të mbajtur në Tiranë, por edhe në disa shtete të tjera. Interesimi i nxënësve dibranë për të qenë pjesë aktive e Shkollës Digjitale është shumë i madh
Vjollca SADIKU
Dibër, 18 korrik – Dibra, në kontinuitet, ka pasur nxënës të talentuar të cilët kanë arritur shumë suksese në gara të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Por suksesi i nxënësit Eugen Papraniku, i arritur këto ditë në Barcelonë të Spanjës në Olimpiadën Botërore në teknologji, shkencë dhe kodim, është një arritje me përmasa të vërteta ndërkombëtare. Ai fitoi dy medalje në garat botërore në fushën e kodimit, çka përbën një sukses të jashtëzakonshëm edhe për Shkollën Digjitale të Maqedonisë së Veriut.
Koordinatorja në Shkollën Digjitale në Dibër, Adisa Mullarexha, për gazetën KOHA thotë se Eugeni, i cili është një nxënës i shkëlqyeshëm, ka pasur një përgatitje të gjatë dhe të kujdesshme për pjesëmarrjen në këtë olimpiadë.
“Suksesi është shumë i madh dhe është një krenari për Dibrën. Me zemër plot krenari njoftojmë se nxënësi ynë, Eugen Papraniku, me shpirt të madh nga Dibra, ka fituar medaljen e argjendtë në finalen botërore të STEM Olympiad 2025, e zhvilluar në Barcelonë, Spanjë. Në këtë garë ndërkombëtare morën pjesë mbi 40 shtete nga mbarë globi, mes të cilëve SHBA-ja, Kina, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, India, e të tjera. Ky sukses është fryt i një pune të palodhshme dhe përkushtimi të madh nga vetë Eugeni, por gjithashtu edhe i mbështetjes së pakushtëzuar të familjes së tij, e cila ka qenë pranë tij në çdo hap të rrugëtimit të tij akademik”, thekson ajo.
Mullarexha falënderoi shkollën, e cila dha një kontribut në përgatitjen e Eugenit.
“Një falënderim i veçantë shkon për Shkollën Digjitale, e cila ka ushtruar, mentoruar dhe përgatitur Eugenin me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë. Ky sukses është gjithashtu rezultat i investimit në edukim cilësor dhe bashkëkohor. Me medaljen e argjendtë në qafë dhe flamurin kuqezi në dorë, Eugen Papraniku është shembulli më i mirë se nga Dibra mund të arrihen majat e botës”, përfundon Adisa Mullarexha, koordinatore në Shkollën Digjitale në Dibër.
Normalisht, edhe Eugeni është shumë i kënaqur me këtë arritje. Ai shprehet se do të vazhdojë të angazhohet maksimalisht në fushën e kodimit dhe, me kalimin e kohës, pret të arrijë suksese edhe më të mëdha.
“Jetojmë në epokën e digjitalizimit”, thekson ai.
Duhet theksuar se dy nxënës nga Shkolla Digjitale e Maqedonisë përfaqësuan vendin në Olimpiadën Botërore për Teknologji, Shkencë dhe Inovacione: dibrani Eugen Papraniku dhe tetovari Amar Demiri. Së bashku me ta ishte edhe instruktori Vegim Zhaku, i cili koordinonte ekipin në këtë garë të fortë ndërkombëtare.
Shkolla Digjitale në Dibër ka pasur suksese të shumta në fushën e teknologjisë informative, jo vetëm në nivel vendor, por edhe ndërkombëtar. Para disa kohësh, një tjetër sukses i rëndësishëm u arrit nga nxënësit e kësaj shkolle në maratonën teknologjike të mbajtur në Tiranë, por edhe në disa shtete të tjera. Interesimi i nxënësve dibranë për të qenë pjesë aktive e Shkollës Digjitale është shumë i madh. Kryesisht, këtu marrin pjesë nxënës të shkëlqyeshëm, të cilët, me përkushtim dhe punë, po arrijnë suksese të mëdha.