
“Është e arsyeshme t’i jepen garanci RMV-së se nuk do të ketë kërkesa të reja”, tha Presidenti i KE-së Koshta
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, deklaroi se është e arsyeshme që Maqedonia e Veriut të marrë garanci se nuk do të ketë kushte të reja në rrugën e saj drejt BE-së, pasi të përmbushen ato ekzistuese. Sipas tij, ndërtimi i besimit është pjesë kyçe e procesit.
“Në të njëjtën kohë, është shumë e rëndësishme të ndërtohet besim dhe t’i jepet garanci Maqedonisë së Veriut se ajo që kërkojmë tani është gjithçka që kërkojmë, dhe jo se presim më pas të kërkojmë diçka më shumë. Kjo është e arsyeshme”, tha Kosta në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin bullgar, Rosen Zheljazkov, në Sofje.
Ai shtoi se pikërisht për shkak të nevojës për ndërtim besimi ka ftuar qeveritë në Shkup dhe Sofje të nisin bashkëpunim mbi çështje konkrete. Si shembull, Kosta përmendi përmirësimin e lidhjeve mes dy vendeve, siç janë korridoret e transportit, që do të afronin popujt dhe do të përmirësonin ekonomitë. Kjo, sipas tij, do të ishte “hapi i parë i rëndësishëm për të filluar punën së bashku”.
Deklarata për nevojën e garancive erdhi pasi Koshta më herët në konferencë për shtyp tha se “ajo që është rënë dakord, është rënë dakord” dhe se vendi duhet të përmbushë detyrimet ekzistuese – pra ndryshimet kushtetuese – për të nisur negociatat e anëtarësimit me BE-në.
Ai gjithashtu kujtoi se e kupton frustrimin e vendit, i cili tashmë e ka ndryshuar flamurin, emrin dhe një herë edhe Kushtetutën.
“Ata tashmë e kanë ndryshuar një herë Kushtetutën, e kanë ndryshuar flamurin, madje edhe emrin e shtetit. Dhe natyrshëm presin që të mund ta konkretizojmë këtë proces të anëtarësimit. Por, ajo që është miratuar, është miratuar. Ajo që është rënë dakord, është rënë dakord. Dhe ata duhet të dorëzojnë”, tha Koshta./VOXAL/