Erkan Arifit nuk i mjaftuan dy mandate për t’i pastruar deponitë e egra në Komunën e Likovës ashtu siç premtoi
Pastrimi i të gjitha deponive të egra në Komunën e Likovës, mbetet premtim i parealizuar i Komunës së Likovës në krye me Erkan Arifin, shkruan Portalb.mk.
Në programin zgjedhor “Tek e blerta” 2021–2025 Erkan Arifi, kryetari i Komunës së Likovës, premtoi se përveç investimeve të tjera, Komuna e Likovës do të pastrojë të gjitha deponitë e egra në nivel komunal, dhe në vendet ku është e mundur, do të realizohet gjelbërimi i tyre.
Në programin zgjedhor “Tek e blerta” 2021–2025 te pjesa zhvillimit ambient i pastër jetësor konkretisht në faqe 9 thuhet:
“Pastrimi i të gjitha deponive te egra në nivel komunal dhe në ato vende ku ka mundësi të bëhet gjelbërimi i atyre lokacioneve – hapësirave, dmth që në të ardhmen të shfrytëzohen si vende për pushim dhe rekreacion”.
Arifi pati premtuar pastrimin e të gjitha deponive të egra në vendbanimet e komunës edhe në programin zgjedhor “Bashkë për Komunën që duam” 2017-2020.
Por, shtatë vite e gjysmë më vonë prej kur Arifi është në krye të Komunës së Likovës, kjo nuk është realizuar në terren.
Portalb.mk kërkoi nga Komuna e Likovës se pse deri tani nuk janë pastruar deponitë e egra, por nuk morëm përgjigjen për këtë premtim të parealizuar.
Aktualisht në Komunën e Likovës gjenden dy deponi: Deponia e egër në Nikushtak, dhe deponia pranë Liqenit të Likovës, të cilat ende nuk janë pastruar.
Përndryshe, Portalb.mk në vazhdimësi monitoron deponitë e krijuara përreth Komunës së Likovës. Si rezultat i shkrimeve tona, më 27 mars 2025 u bë pastrimi i deponisë së egër në fshatin Sllupçan nga NPK ”Pisha”.