Erdogan shpërthen ndaj Izraelit / Netanyahu si Hitleri :Izraeli po kërcënon drejtpërdrejt Turqinë, nuk do ta lejojmë!
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka lëshuar akuza dhe paralajmërime të ashpra nga foltorja e mbledhjes së grupit parlamentar të partisë së tij (AKP).
Në një fjalim që ka bërë xhiron e mediave ndërkombëtare, lideri turk e ka krahasuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, me Adolf Hitlerin, ndërsa ka theksuar se ekspansioni ushtarak izraelit përbën tashmë një rrezik real për kufijtë e Turqisë.
Sipas Erdogan, agresioni i forcave izraelite në Siri dhe Liban nuk mund të shihet më si një problem lokal i dy “vendeve vëllazërore”. Ai e bëri të qartë se Turqia e konsideron këtë përshkallëzim si një kërcënim strategjik ndaj vetë asaj.
“Siguria e Turqisë nuk fillon vetëm në Hatay, por edhe në Alepo, Damask dhe Bejrut. Ne nuk do të tolerojmë asnjë ‘fakt të kryer’ në kombet tona vëllazërore dhe nuk do të mbyllim sytë para agresionit ndaj tyre”, deklaroi prerazi Erdogan.
Lideri turk shtoi se Ankaraja zyrtare është plotësisht e vetëdijshme për planet që fshihen pas asaj që ai e quajti “iluzioni i krijimit të Izraelit të Madh”, duke garantuar se Turqia nuk do të lejojë kurrë realizimin e këtij projekti.
Gjatë fjalës së tij, Erdogan dërgoi një mesazh të qartë edhe për aktorët gjeopolitikë që operojnë në rajonin e egjeut dhe Mesdheut Lindor, duke përfshirë mbrojtjen e interesave të turqve qipriotë.