Ende pa zgjidhje për qëndrimin më të gjatë të shoferëve në zonën Shengen
Nuk ka ende zgjidhje përfundimtare për çështjen e qëndrimit më të gjatë të shoferëve profesionistë në zonën Shengen, megjithëse procesi i konsultimeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të shteteve të Shengenit ka nisur zyrtarisht.
Pas mbledhjes së grupit punues të mbajtur më 11 shkurt 2026, sipas njoftimit të Makam-trans, bisedimet janë zhvilluar me përfaqësues të gjashtë vendeve të rajonit, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, me qëllim sigurimin e treguesve teknikë dhe gjetjen e një zgjidhjeje kalimtare deri në zbatimin e plotë të Strategjisë së re për liberalizimin e vizave të BE-së.
Nga kumtesa njoftohet se do të ketë edhe takim të ri së shpejti.
“Brenda një periudhe prej dy javësh është caktuar një takim i ri i Grupit të Punës, pas konsultimeve që duhet të bëhen me shtetet që ata përfaqësojnë në kuadër të zonës Shengen.”, shkruan në njoftimin e Makam-trans.
Shoqata e vlerëson si zhvillim pozitiv faktin që në strategjinë e përditësuar të BE-së për herë të parë njihet shoferi profesionist si person që ushtron veprimtari dhe që duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë, përkatësisht të ketë mundësi për qëndrim më të gjatë se kufizimi aktual 90/180 ditë, njësoj si ekuipazhet në lloje të tjera të transportit.
Ndërkohë, janë ndërmarrë disa hapa konkretë për periudhën kalimtare: është dërguar kërkesë zyrtare te ministria kompetente për mbështetje institucionale dhe organizim takimesh me ambasadorët e vendeve të Shengenit, kërkesa te ambasadat për informacione mbi mundësinë e vizave të posaçme për shoferët profesionistë, si dhe shkresa te odat ekonomike dhe organizatat e punëdhënësve për të siguruar mbështetje më të gjerë ndërkombëtare.
Nga shoqata theksojnë se qëllimi mbetet sigurimi i kushteve për zhvillim të papenguar të transportit të mallrave dhe udhëtarëve drejt territorit të BE-së, në përputhje me standardet evropiane dhe pa trajtim diskriminues ndaj shoferëve profesionistë.VOXAL