Elezi: Numërohen 120 vendvotimet e para nga komuna të ndryshme
Ka nisur numërimi i votave për kandidatë të asamblesë komunale në Prishtinë.
Më parë u raportua se ka rënë sistemi dhe se ende nuk ka filluar numërimi i votave në kryeqytet megjithatë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi për portalin rtv21.tv e ka mohuar një gjë të tillë.
“Sipas informacioneve nga platforma e rezultatve janë numëruar 120 vendvotimet e para nga komuna të ndryshme”, ka thënë Elezi.
Tutje Elezi, tha se përveç numërimit të votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale, në këto qendra, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.
Ndërsa, numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht, i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta dhe i fletëvotimve nga votimi jashtë Kosovës, do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi të përfundon procesi në Qendra Komunale të Numërimit.
“Sipas të dhënave preliminare të deritashme, në 54 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi, kemi 2,119 zarfe me fletëvotime”, ka thënë ai.
Elezi ka thënë se janë mbi 33 mijë fletëvotime nga diaspora.
“Nga votimi jashtë Kosovës, nga tërheqja e dërgesave postare që është bërë nga 22 kuti postare, nga gjithsej 23, numri i zarfeve të supozuara me fletëvotime është 33,258. Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë 3,467 “, ka thënë ai./21Media