Mbretëria e Bashkuar nis hetim kundër platformës X
Rregullatori britanik i mediave, Ofcom, sot hapi një hetim formal kundër platformës X, në pronësi të Elon Musk, me qëllim që të përcaktojë nëse kompania i përmbush detyrimet nga Ligji për Sigurinë Online dhe nëse i mbron në mënyrë adekuate përdoruesit nga përmbajtjet e paligjshme të gjeneruara me inteligjencë artificiale (AI)
Hetimi është iniciuar pas raporteve serioze se mjeti i inteligjencës artificiale Grok, i integruar në platformën X, është përdorur për krijimin dhe shpërndarjen e imazheve intime të paautorizuara, si dhe për përmbajtje seksualisht të papërshtatshme që përfshin fëmijë (CSAM).
Ofcom po heton nëse platforma X ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të parandaluar që përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar të bien në kontakt me përmbajtje të paligjshme dhe nëse një përmbajtje e tillë hiqet në kohën më të shkurtër të mundshme.
Përveç kësaj, rregullatori synon të përcaktojë se çfarë masash ka ndërmarrë platforma X për mbrojtjen e privatësisë, si i ka vlerësuar rreziqet për fëmijët dhe në çfarë mënyre ka zbatuar mbrojtjen nga përmbajtja pornografike për përdoruesit e mitur.
“Raportohet se Grok krijon dhe shpërndan imazhe intime të paligjshme dhe përmbajtje seksualisht të papërshtatshme që përfshin fëmijë janë thellësisht shqetësuese. Platformat duhet të ndërmarrin masa të përshtatshme për të mbrojtur përdoruesit në Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht fëmijët”, deklaroi një zëdhënës i rregullatorit britanik.
Nëse Ofcom konstaton se platforma X ka shkelur ligjet britanike, mund t’i urdhërojë asaj të harmonizohet me rregulloret, të kompensojë dëmin, si dhe të paguajë një gjobë deri në 18 milionë paund ose 10 për qind të të ardhurave globale të kompanisë.
Në rastet më të rënda, Ofcom mund të kërkojë ndalim gjyqësor të veprimtarisë, të bllokojë qasjen në platformë ose t’u ndalojë kompanive britanike të ofrojnë shërbime pagese dhe reklamimi për X, thuhet në faqen zyrtare të rregullatorit.