Edhe Islanda Bojkoton Eurovizionin shkaku Izraelit, bashkohet me katër vende të tjera
Pjesëmarrja e Izraelit në Festivalin Evropian të Këngës (Eurovision) ka nxitur shumë shtete që në shenjë protestë të heqin dorë nga gara. Transmetuesi publik islandez njoftoi sot se vendi nuk do të marrë pjesë në konkursin e vitit 2026, duke iu bashkuar katër vendeve të tjera që paraprakisht kishin shpallur bojkotin.
Transmetuesi islandez, RUV, tha se vendimi për mos-pjesëmarrje vjen pas konfirmimit të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), organizatorit të Eurovisionit, se Izraeli do të lejohet të marrë pjesë, duke injoruar thirrjet e disa shteteve për të mbajtur një votim për përjashtimin e tij.
Drejtori i përgjithshëm i RUV, Stefan Eiriksson, deklaroi se: “Është e qartë nga debati publik në këtë vend dhe reagimi ndaj vendimit të EBU javën e kaluar se nuk do të ketë as gëzim, as paqe në lidhje me pjesëmarrjen e RUV.”
Islanda, së bashku me Irlandën, Spanjën, Slloveninë dhe Holandën, kishin kërcënuar se do ta bojkotonin edicionin e ardhshëm të konkursit, që do të mbahet në Vjenë në maj, nëse Izraeli merrte pjesë. Vendet cituan “luftën gjenocidale të Izraelit kundër palestinezëve në Gaza”, si dhe pretendimet për ndërhyrje të padrejtë të Izraelit në konkursin e kaluar në favor të përfaqësuesit të tyre.
Çështja fillimisht pritej të zgjidhej me një votim në nëntor, por EBU njoftoi të enjten se nuk do të ketë votim për pjesëmarrjen e Izraelit. Në vend të kësaj, EBU tha se do të prezantonte rregulla të reja “për të forcuar besimin dhe mbrojtur neutralitetin” e konkursit, të cilat do të dekurajonin qeveritë nga ndikimi i rezultatit.
Ky vendim nxiti reagime të shpejta:
-
Irlanda, Holanda, Sllovenia dhe Spanja njoftuan menjëherë bojkotin e tyre.
-
Transmetuesi irlandez, RTE, përmendi “humbjen e tmerrshme të jetëve në Gaza dhe krizën humanitare”.
-
Transmetuesi kombëtar i Sllovenisë theksoi se vendimi merrej “në emër të 20,000 fëmijëve që vdiqën” në luftën e Izraelit ndaj popullit palestinez.
Në kontrast të plotë, Gjermania, një mbështetëse e zëshme e Izraelit në Evropë, kishte deklaruar më parë se do ta bojkotonte ngjarjen nëse Izraeli do të përjashtohej.
Festivali Evropian i Këngës daton që nga viti 1956 dhe arrin rreth 160 milionë shikues, sipas EBU. Me tërheqjen e Islandës, numri i vendeve që bojkotojnë garën e vitit 2026 arrin në pesë./VOXAL/