E gjakosi një grua me arkë të mbushur me shishe, arrestohet shkupjani
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka hapur procedurë kundër një personi ndaj të cilit ekziston dyshim i bazuar për kryerjen e veprës penale – lëndim i rëndë trupor, sipas nenit 131, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti personal midis të dyshuarit dhe viktimës. Më 23 gusht, pasdite, gruaja kishte shkuar për t’u takuar me të dyshuarin para një lokali në lagjen Avtokomandë. Fillimisht ai e ka fyer rëndë, ndërsa më pas ka marrë një arkë plastike të mbushur me shishe qelqi dhe e ka goditur në kokë. Si pasojë, e dëmtuara ka filluar të gjakoset rëndë, por e tronditur ka arritur të thërrasë policinë. Me autoambulancë është transportuar në spital, ku mjekët kanë konstatuar lëndime të rënda trupore.
Duke marrë parasysh mënyrën e kryerjes së veprës dhe rrezikun e përsëritjes, prokurori publik ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup që ndaj të dyshuarit të shqiptohen disa masa kujdesi: ndalim afrimi dhe kontakti me viktimën, konfiskim të përkohshëm të pasaportës për të mos kaluar kufirin dhe detyrim për paraqitje të rregullt te një zyrtar i caktuar, njoftojnë nga Prokuroria.